E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vapa shton fluksin e urgjencave në spitale

23/07/2010 Rrethet raportojnë çdo javë mbi 1500 të prekur

Moshat pediatrike rezultojnë më të prekurat nga komplikacionet

Gjatë dy javëve të fundit është shtuar me ritme të ndjeshme fluksi i pacientëve që kanë pasur nevojë për kujdesin e specializuar mjekësor për shkak të komplikacioneve të shfaqura nga vapa. Situata ka rezultuar të jetë më problematike për moshat e vogla, të cilat kanë manifestuar simptoma të tilla, si: temperaturë të lartë, të vjella, dhimbje barku, humbje përqendrimi etj. Nga të dhënat rezulton se fluksi më i madh i pacientëve paraqitet në urgjencën e pediatrisë në QSUT, pranë së cilës çdo ditë kërkojnë ndihmën mjekësore 250-300 pacientë të vegjël. Në masë pohohet të jenë shfaqur gastroenteritet me origjinë virale, raste të cilat raportohen kryesisht nga zonat periferike të Tiranës. Mjekët e shërbimit pohojnë se pothuajse të gjithë shtretërit e urgjencës çdo ditë mbushen plot me fëmijë, kryesisht të moshës pediatrike 0-10 vjeç. “Rastet shtohen më shumë gjatë natës, kur numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë është më i madh. Për të evituar komplikacionet që mund të shkaktojnë virozat, duhet të rritet kujdesi nga ana e prindërve si dhe evitimi i daljeve në orët e pikut të diellit”, - pohon mjekia e shërbimit. Ndërsa pranë spitalit infektiv pohohet të shkojnë rreth 100 urgjenca gjatë ditës. Shtimi i fluksit të komplikacioneve prej vapës nuk është ndier vetëm në kryeqytet, pasi dhe rrethet raportojnë shifra të larta të të prekurve. Specialistët e shëndetit publik, që merren me monitorimin e situatës në 36 spitalet e vendit, tregojnë se pranë këtyre institucioneve paraqiten më shumë se 1500 raste çdo javë që kanë nevojë për kujdesin e specializuar mjekësor. Epidemiologu Artan Simaku ka pohuar ditën e djeshme se zonat turistike raportojnë numrin më të madh të pacientëve që paraqiten në urgjencat e spitaleve. “Duhet të theksoj se shifrat e raportuara janë të njëjta me periudhën e një viti më parë, por në qytetet bregdetare vihet re një rritje e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, pasi është dyfishuar dhe numri i pushuesve në këtë periudhë. Situata është nën kontroll dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk kemi shpërthime epidemike me bazë uji apo të ushqimit.” Megjithatë, mjekët këshillojnë marrjen e masave jo vetëm duke shmangur kontaktin me rrezet nga ora 10:00-16:00, si duke rritur nivelin e higjienës personale, ashtu dhe duke mbajtur kujdes në konsumin e ushqimeve sa më të freskëta dhe të gatuara në kushte të rrepta higjienike.

Kujdesi për fëmijët

• Fëmijët të mbahen në ambiente të freskëta dhe lagështirë normale.

• Krevati të jetë në një kënd të dhomës, i mbrojtur nga korrentet e ajrit.

• Të bëhet ajrimi i dhomës herë pas here.

• Temperatura e ambientit ku rri fëmija të jetë rreth 24-25 gradë C.

• Në varësi të kushteve mund të bëhet edhe freskimi i dhomës me ujë.

• Të përdoren veshje të lehta pambuku dhe me ngjyra të çelura.

• Shëtitja e fëmijëve të bëhet në ajër të pastër e gjelbërim.

• T’u bëhet fëmijëve banjë freskuese disa herë në ditë.

• Të mos ndërpritet ushqyerja me gji për fëmijët e moshave të vogla.

• Ushqimet që u jepen të jenë të freskëta dhe të përpunuara mirë.

• Kur nëna vjen me nxitim nga rruga apo puna, duhet të qetësohet e pastaj t’i japë gji fëmijës, sepse ai mund ta vjellë.

• T’u jepet ujë i pastër (i zier) vazhdimisht fëmijëve.

• Enët e gatimit për fëmijë të ruhen me kujdes në kushte higjienike.

• Ushqimet e gatshme duhen blerë në vende të kontrolluara mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›