E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: Edhe 20 ditë burgish-sekretarit të ministrisë

23/07/2010 Almir Rrapo do qëndrojë 60 ditë në qeli, në pritje të dosjes nga Amerika

TIRANE- Gjykata e Apelit i ka shtuar edhe 20 ditë burg, për ish-sekretarin e ministrit të Jashtëm, Almir Rrapo, i cili u arrestua dy javë më parë në ambientet e ambasadës amerikane, teksa ishte duke aplikuar për vizë. Në vendimin e djeshëm, Gjykata e Apelit vlerësoi si të ligjshëm arrestin, duke evidentuar faktin se Rrapo rezulton i shpallur në kërkim nga autoritete amerikane për akuzën e pengmarrjes për shkak shantazhi dhe trafik të lëndëve narkotike. Por avokati i tij, Ardian Visha, kërkoi nga gjykata lirimin me pretendimin e një arrestimi të paligjshëm. Sipas Vishës, Rrapo është arrestuar nga oficerët e policisë shqiptare brenda territorit të një shteti të huaj siç është ambasada amerikane. Sipas avokatit, ish-sekretari i ministrit të Jashtëm Ilir Meta akuzohet për një vepër që është kryer brenda një harku kohor 2003-2007, ndërkohë që klienti i tij është kthyer në Shqipëri në vitin 2005. Mirëpo kundër këtyre pretendimeve ka qenë prokurori Artan Peka, i cili i kërkoi gjykatës të lërë në fuqi kërkesën e tij, e cila tregonte se Rrapo duhet të qëndrojë 60 ditë në burg. Ky afat kohor është miratuar nga Gjykata e Apelit, vendim ky që i shton edhe 20 ditë të tjera burg, pasi vendimi i shkallës së parë e kishte izoluar atë me 40 ditë. Afati kohor prej 60 ditësh u la me qëllim që autoritet amerikane të dërgojnë dosjen penale në ngarkim të Almir Rrapos, ku mësohet se nëpërmjet saj drejtësia e shtetit të Neë Yorkut do kërkojë ekstradimin. Ndalimi i Rrapos u krye në ambientet e ambasadës amerikane, në të cilën ai ishte paraqitur për t’u pajisur me një vizë. Shërbimi kompjuterik ka konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti dhe për pasojë është vendosur menjëherë arrestimi.

Urdhri i ndalimit

Me urdhër-arrestin nr. 10 Crim 464 dt 27.05.2010 është realizuar arrestimi i përkohshëm me burg i personit nën hetim Almir Rrapo. Ndaj tij rëndojnë akuzat e “Pengmarrjes në ndihmë të shantazhit”, “Përdorim dhe mbajtjen e armëve të zjarrit”; “Shpërndarjen në bashkëpunim të lëndës narkotike”- vepra penale këto, të parashikuara nga neni 18 seksioni 1959 (A) (1) dhe (2), neni 18 seksioni 924 (C) (1) (A) (II) dhe neni 2, neni 21 seksioni 846 dhe neni 18 seksioni 1951 (B) (3) të Legjislacionit Amerikan (SHBA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›