Debati për pasaportat, Basha: Janë vlerësuar maksimalisht nga KE-ja
23/07/2010 Debat ka shkaktuar dje në Parlament edhe çështja e pasaportave biometrike. Deputeti i PS-së Ilir Beqja është shprehur se kompania nuk ka zbatuar të gjitha detajet e marrëveshjes dhe kërkoi të dinte pse qytetarëve u merren dy herë shenjat e gishtave: një herë për kartat e identitetit dhe një herë për pasaportat biometrike, duke aluduar se pas kësaj fshihet diçka. Menjëherë pas tij e ka marrë fjalën ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili u shpreh se kjo është procedurë standarde e vendosur që në kontratën fillestare me kompaninë. “Nuk e kuptoj se si mund të njolloset një proces që ka marrë notat maksimale nga ekspertët e Komisionit Evropian tri herë rresht”, - tha Basha. Nga ana e tij Beqja është ngritur sërish dhe ka deklaruar se me ardhjen e PS-së në pushtet do të anulohet çdo marrëveshje abuzive që është bërë nga qeveria e demokratëve, gjë e cila ka ndezur debatin me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Nga ana e saj kryeparlamentarja ka deklaruar se socialistët po kërkojnë që me anë të deklaratave të tyre të pengojnë liberalizimin e vizave, pjesë e të cilave është dhe prodhimi i pasaportave biometrike. Sipas saj, në marrëveshjen me kompaninë nuk ka asnjë abuzim dhe se e gjitha është një sajesë e socialistëve.