E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, akuza: Gjyq tëpremten. Dokle: Do të luaj volejboll

23/07/2010 Shtyhet për në 6 shtator gjyqi. Prokurorë e avokatë, debat për caktimin e seancës

TIRANE-Seanca gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të Bandës së Durrësit, është shtyrë për gati një muaj e gjysmë, duke u lënë që ajo të zhvillohet më 6 shtator, pasi në muajin gusht gjykata dhe Prokuroria marrin lejet e zakonshme. Në kundërshtim të vendimit për shtyrjen e seancës gjyqësore të ditës së djeshme, (mungonin avokatët) ka qenë prokurori Anton Martini, i cili i ka propozuar relatorit të çështjes Guri Brahimllarit që seanca gjyqësore të lihet për t’u zhvilluar ditën e sotshme (të premten). Kërkesës së prokurorit Martini i është kundërpërgjigjur shumë shpejt i pandehuri Indrit Dokle, i cili është shprehur se ditën e premte ai nuk mund të paraqitej në gjyq, pasi kishte kampionatin e volejbollit. Kjo deklaratë ka shkaktuar të qeshura mes të pandehurve, ku njëri prej tyre Indrit Taullaj i ka kërkuar trupit gjykues që të zëvendësonin avokatët që mungonin me avokatë kryesisht dhe të lejonin zhvillimin e procesit gjyqësor. I të njëjtit mendim ka qenë edhe avokati Detar Hysi, i cili i shprehu togave të zeza domosdoshmërinë e zhvillimit të gjyqit, pasi nuk mundej që procesi të zhvillohej ditën e kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës. Ndërkohë që disa avokatë të tjerë, propozuan që gjyqi të zhvillohet ditën e hënë, por përkundër të gjitha propozimeve gjykata ka vendosur që seanca e radhës në ngarkim të të pandehurve të Bandës së Durrësit të zhvillohet më 6 shtator. Vendimi ka shkaktuar debate në sallë, ku avokati Riza Icka i është drejtuar gjyqtarit Guri Brahimllari se kjo që po bënte ishte një skemë mes tij dhe përfaqësuesit të akuzës, me qëllim shtyrjen e afateve të paraburgimit të të pandehurve. Në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm edhe 9 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria, të cilët ishin planifikuar që të dëshmonin lidhur me disa krime që mendohet se janë kryer nga anëtarët e Bandës së Durrësit. Mësohet se që nga fillimi i zhvillimit të procesit gjyqësor dhe deri tani, kanë dëshmuar plot 53 dëshmitarë nga 200 që Prokuroria ka planifikuar të pyesë në gjykatë. Ndërkohë që njëri nga dëshmitarët Edmond Quka është arrestuar për dëshmi të rreme në gjykatë, ndërsa dy të tjerë janë shoqëruar në polici dhe më pas janë lënë të lirë. Procesi në ngarkim të 16 të pandehurve të Bandës së Durrësit, prej dy vitesh është duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Për më shumë se një periudhe njëvjeçare, nuk u zhvillua asnjë seancë gjyqësore, pasi shkak ishte mungesa e tepruar e avokatëve mbrojtës. Pas angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe masave të marra nga Dhoma e Avokatisë, palët ranë dakord që të paraqiten në gjykatë për të zhvilluar gjyqin në ngarkim të të pandehurve të Bandës së Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›