E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Tetë kërkesat për të dalë nga kriza



nertila maho

Ndërtuesit i janë rikthyer kërcënimit se do të anulojnë punën për një muaj në kantiere, nëse zëri i tyre do të bjerë në vesh të shurdhër. Rishikimi i legjislacionit tatimor, por dhe ngërçi që krijohet nga disa organe vendimmarrëse, janë dy nga pikat kryesore që shqetësojnë këtë kategori dhe në këtë kuadër, ata kanë bërë propozimet konkrete. Dje gjatë mbledhjes së Aktivit Kombëtar të Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, u bë publike një letër e hapur drejtuar Qeverisë, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Rama dhe kryetarit të Delegacionit të KE, Helmut Lohan, me kërkesat e ndërtuesve. Ata kanë kundërshtuar zbatimin e çmimeve të përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Financave, me qëllim llogaritjen e kostos së ndërtimit. “Në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, është ireale të pretendosh të hartosh një manual preventivimi të detyrueshëm për zbatim, mbi bazën e të cilit të bëhet kontrolli tatimor i punëve publike apo private. Për këto arsye, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon ndryshimin e këtij vendimi, duke e lënë vetëm orientues për punët publike dhe jo obligativ”, thuhet në letër. Problemi i pagave referuese është një tjetër shqetësim për ndërtuesit sepse ka kontraste mes pagës reale dhe asaj të përcaktuar me vendim. Për këtë arsye Shoqata ka kërkuar ndryshim të tabelës, sipas propozimit të saj, në mënyrë që të shfaqen pagat reale të sektorit të ndërtimit. Heqja e Tatimit mbi Fitimin për sipërfaqet që nuk shiten nga shoqëritë e ndërtimit, por përfitohen nga pronarët e truallit në këmbim të sipërfaqes së truallit që ato venë në dispozicion të shoqërive të ndërtimit. “Ky tatim të paguhet vetëm nga pronaret e truallit, të cilët përfitojnë të ardhura nga shitja e sipërfaqeve të ndërtimit në këtë rast”, propozojnë ndërtuesit. Ndërkohë që lidhur me organet vendimmarrëse, ndërtuesit radhisin një sërë kërkesash të tjera. Sipas tyre, është i papranueshëm mosfunksionimi i organeve vendimmarrëse për dhënien e lejeve të ndërtimit. “Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon funksionimin normal dhe sipas ligjit të organeve vendimmarrëse KRRT, KRRTRSH dhe miratimin sa më parë të Planit Rregullues të Tiranës, i cili konsiderohet i përfunduar”, theksohet në letrën e hapur. Procesi i ngadaltë i legalizimeve është një tjetër ankese. “Jo të pakta janë problemet me hipotekimin e objekteve. Shpresuam shumë se me ligjin e legalizimeve do mund të jepej një shtysë dhe mbyllje e plotë e problemit deri në hipotekim. Mund të themi se dhe ky ligj po komprometohet, qoftë për zgjatjen e ti,j qoftë për mos finalizimin me regjistrimin e objekteve”, shprehen ndërtuesit. Një tjetër shqetësim përbën një Vendim i Këshillit të Ministrave, që sanksionon se firmat e infrastrukturës që nuk kanë kryer 70% të punimeve në objekte të kontraktuara ose që janë në proces për t’u kontraktuar nuk mund të marrin pjesë në tender për objekt tjetër. “Ky vendim penalizon të gjitha firmat e infrastrukturës pa përjashtim, aq më tepër që ato janë në kushtet e mosfinancimit për punime të kryera. Sipas këtij vendimi, në objektet e reja do mund të marrin pjesë vetëm firma të huaja. Ky do qe një dëm i disafishtë i ekonomisë. Kërkojmë anulimin sa më parë të këtij vendimi”, përfundojnë pretendimet e ndërtuesve.

kerkesat e ndertuesve

Ndryshim të udhëzimit që përcakton çmimet për ndërtuesit Ndryshim të pagave referuese. Të propozohen nga Shoqata Heqja e Tatimit mbi Fitimin për sipërfaqet që nuk shiten nga shoqëritë e ndërtimit Zbatim të marrëveshjes së nënshkruar me ndërtuesit nga tatimet Funksionim normal të organeve vendimmarrëse KRRT, KRRTRSH Miratimin e planit Rregullues së Tiranës Zbatim rigoroz të ligjit të legalizimeve për të shpejtuar procesin Anulim të VKM-së 835 dt 15.07.2009 pasi dëmton firmat shqiptare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›