Plumb taksistit për ta grabitur
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Grabitet dhe plagoset me armë zjarri taksisti nga Kopliku. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të së premtes në afërsi të fshatit Gruemirë të rrethit Malësi e Madhe. Taksisti Esat Pepa, 48 vjeç u sulmua nga tre persona, pasagjerë të tij të cilët i kishin kërkuar që t’i çonte ata nga Shkodra në fshatin Gruemirë. Por gjatë rrugës, autorët, dy prej të cilëve tashmë janë arrestuar, i kanë kërkuar 48- vjeçarit të zbriste nga makina.
“Pasi kanë lënë rrugën nacionale Shkodër-Koplik disa km larg komunës Gruemirë, në vendin e quajtur Grudë –Fushë, në afërsi të varrezave të fshatit, autorët e ngjarjes i kanë kërkuar nën kërcënimin e armës drejtuesit të taksisë të zbresë nga makina. Por ai ka rezistuar nga ku më pas është qëlluar me një plumb në qafë nga grabitësit” bëri të ditur policia. Mësohet se pasi e kanë qëlluar me një plumb në qafë, autorët e ngjarjes e kanë hedhur në mes të rrugës taksistin e plagosur duke menduar se ai kishte vdekur. Më pas ata janë larguar bashkë me makinën e grabitur. Disa kalimtarë të rastit të cilët gjetën viktimën e plagosur e dërguan atë me urgjencë në spitalin e Shkodrës. Policia u sinjalizua në sallën operative fillimisht nga personat që gjetën viktimën, por më pas edhe nga bluzat e bardha. Blutë u vunë në ndjekje të autorëve duke kontrolluar çdo zonë të dyshimtë derisa bënë të mundur arrestimin e dy autorëve, ndërsa shpallën në kërkim bashkëpunëtorin e tretë në këtë krim. Sipas burimeve të policisë, janë arrestuar dy 17- vjeçarë, të akuzuar për këtë ngjarje, S. Hodaj, nga fshati Grizhë i Malësisë së Madhe dhe shtetasi B. Hoxha, banues në lagjen Dobraç në Shkodër. Policia bëri të ditur se është në kërkim edhe shtetasi i tretë që ka lidhje me ngjarjen, Kledis Arifi, 21 vjeç nga fshati Vajush. Grupi i hetimit zbuloi se automjeti i grabitur me armë, benz 250 me targe SH 4135 ishte djegur në afërsi të fshatit Vajush. Dyshohet se grabitësit i kanë vënë flakën makinës për të humbur gjurmë, por ka qenë pikërisht tymi dhe flakët e krijuara nga djegia që ka çuar edhe policinë në drejtimin e duhur. Pas veprimeve të kryera në vend, policia identifikoi autorët nga ku më pas bëri të mundur arrestimin e dy prej tyre. Burime nga spitali i Shkodrës bënë të ditur se taksisti 48- vjeçar kishte marrë një plumb në qafë, ndërsa gjatë rrugës ai kishte humbur shumë gjak. Taksisti iu nënshtrua operacionit dhe sipas mjekëve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Policia pritet të marrë në pyetje edhe viktimën, i cili do të tregojë versionin e tij në lidhje me këtë ngjarje të rëndë që për pak i kushtoi atij jetën. Ndërsa autorët akuzohen për grabitje me armë, si dhe vrasje e mbetur në tentativë.