Doku Umarov i kërcënohet Turqisë

Lideri militant çeçen, Doku Umarov, i është kërcënuar Turqisë me masa hakmarrëse të paspecifikuara, pas vrasjes së një numri të militantëve nga Kaukazi në territorin e Turqisë.
Nëpërmjet një video-incizimi, Umarov ka shprehur dyshime se militantët ishin vrarë nga agjentët rusë, aktivitetet e të cilëve ishin lejuar në mënyrë të qëllimshme nga shërbimet sekrete të Turqisë.
Në muajin shtator, tre persona nga Kaukazi ishin vrarë afër një xhamie në Stamboll.
Hetuesit e Rusisë më vonë thanë se dy prej tyre ishin çeçenë të dyshuar për sulmin vdekjeprurës me bombë në aeroportin e Moskës këtë vit.
Umarov, i cili e udhëheq të ashtuquajturin Emirat të Kaukazit, që dëshiron krijimin e shtetit islamik në Kaukazin rus, e kishte marrë përgjegjësinë për sulmet vdekjeprurëse në Moskë, përfshirë edhe atë në aeroport, në muajin janar, me ç’rast ishin vrarë 37 persona.