Varësia nga legjioni
Qendra komanduese gjendet diku në periferi të qytetit. Fotografi të mëdha bardh e zi, një portret i Jaser Arafatit, maska të egra afrikane, libra, uniforma dhe medalje rrëfejnë për aventurë, mite dhe legjendat e Legjionit francez të të huajve.
Muzeu në miniaturë i ushtrisë më të famshme në botë gjendet në zyrën e Thomas Gastit në Pirmasens, në Gjermani.
Në korridor qëndron e varur një pikturë, në të cilën mund të shihet citadela e Kalvit në Korzikë, vend ky i cili që gati pesë dekada konsiderohet si një vend mitik. Në këtë vend, Thomas Gast u bë luftëtarë.
Deri në vitin 2002, ai për 17 vjet ishte pjesëtar i legjionit të të huajve.
Nëntë vjet pas largimit të tij, Gast ende flet me emocione për legjionin dhe ka shkruar madje edhe librin “Legjioni”.
Bëhet fjalë për një njësi të jashtëzakonshme: edhe pse Legjioni i të huajve zyrtarisht është pjesë e ushtrisë franceze, aty mund të angazhohen meshkuj të të gjitha nacionaliteteve nga e gjithë bota.
Motoja e Gastit: Legjioni është më shumë se nostalgji. “Shpirti i legjionit jeton. Ndërmjet njësisë, e cila u themelua në vitin 1831 dhe ushtrisë së sotme, përjashtuar armatimin dhe uniformat e reja, nuk ka pothuajse asnjë dallim”, rrëfen Gast.
Atëbotë, njësitë ndaheshin sipas përkatësisë kombëtare. Sot, kjo njësi më 7700 pjesëtarë është një përzierje e larmishme. Ushtarët vijnë nga 135 shtete të botës-por gjithmonë shkojnë me të njëjtin qëllim në Legjion. “Ata dëshirojnë të dallojnë nga njerëzit normal, ngase pas çdo legjionari fshehët nga një histori”, thotë Gast.
Historia e Gastit fillon në shkurt të vitit 1985. Pas një nate të kaluar në diskotekë, ai befas zhduket dhe në Strasburg aplikon për anëtarësim në Legjionin e të huajve.
Familja e tij u detyrua të pres një kohë të gjatë për të dëgjuar ndonjë lajm nga ai dhe fillimisht beson se ai ka vdekur.
“Se i kam shkaktuar nënës time dhimbje të mëdha atëbotë, këtë e kam kuptuar pasi jam bërë vetë baba. Dëshiroja të shihja shtete të huaja, kultura të huaja, ta shikoja rrezikun në sy. Dëshiroja që të gjitha këto gjëra t’i përjetoja në mënyrë intensive dhe Legjioni ishte një urë, për të testuar durueshmërinë time”, thekson Gast.
Vitet e para në Legjion janë tejet të vështira. Pa xhirollogari, pa familje, pa automjet, pa veshje civile.
“Mua dhe kolegëve të mi nuk na ka munguar asgjë. Pasi që nuk kishim kursyer asgjë dhe pasi që nuk e dinim se a do të kthehemi gjallë nga misionet tona, nuk kishim nevojë për xhirollogari dhe automjete”, rrëfen Gast.
Gruaja dhe familja janë gjithmonë gjëra problematike për një ushtarë profesionit.
“Atëherë nuk e ke mendjen e kthjellët, nuk je i përqendruar në mision, por në atë se çfarë është duke ndodhur në shtëpi”, shton ai.
Gasti atëbotë 23 vjeçar, pas trajnimit të ashpër, dërgohet në Guajanën Franceze, ku ai kaloi 465 ditë në xhungël. Ai flet me ngazëllim për marshet e gjata nepër xhungël, për luftën me gjarpërinjtë dhe krokodilat, për aksionet kundër kërkuesve ilegal të arit.
Legjionarët janë të shkëputur nga bota. Zhvillimet epokale politika, si për shembull rënia e perdes së hekurt, Gast i kuptoi vetëm pas arritjes së kadetëve në Legjion nga ish-Gjermania Lindore, Polonia, Çekia dhe Rusia.
Në kuadër të misionit humanitar, të mandatar nga OKB-ja, Gast dhe kolegët e tij dërgohen në Bosnje, në vitin 1992. Në Sarajevë ai përjetoi çmendurinë plotësisht normale të Legjionit. Natën dhe nëpër mot të ftohtë dhe nën zjarrin e snajperistëve serbë, të gjithë legjionarët nisen, për të kërkuar një revole të humbur.
“Tingëllon si çmenduri, por ishte një gjë tejet e rëndësishme, ngase në të kundërtën, ushtari që e humbi atë, do të kishte mbetur pa armë. Kërkimi dhe gjetja e armës ishte një çështje e nderit”, rrëfen Gast.
Gast flet edhe për Ratko Mladicin, me çetnikët e së cilit kishte punë edhe Gast, i cili u kap 16 vjet pas masakrës në Srebrenicë, ku njësitë e tij vranë mbi 7 mijë meshkuj boshnjakë.
“Angazhimi luftarak i Legjionit me siguri se do të kishte parandaluar padrejtësinë dhe masakrën e Srebrenicës. Tani Mladici po gjykohet në Hagë dhe kjo mbushë me një kënaqësi të brendshme shpirtërore një ish-legjionar”, thekson Gast.
Vendimi për t’u përshëndetur nga Legjioni filloi t’i sillet nëpër kokë prej 7 qershorit të vitit 1997. Gjatë një misioni në qytetin Brazavil, në Kongo, ai së bashku me njësinë e tij bien në kurth. Disa legjionarë u plagosen rëndë dhe u vranë me dhjetëra kongolezë.
“Këtë mbrëmje, gjatë së cilës era e vdekjes frynte nëpër rrugët e Brazavilit, vendimi për t’u larguar nga Legjioni mu lehtësua në mënyrë tragjike, pasi që kuptova se edhe ne ishim të lëndueshëm”, rrëfen Gast.
Por ai nuk e kishte aspak lehtë që të përshtatej me përditshmërinë gjermane. “Më mungonte rutina e përditshme e Legjionit”.
Ndodh shpesh që ish-legjionarët përballen me probleme psikike, por as në këto raste Legjioni nuk ja u kthen atyre shpinën.
“Legjioni është si një familje e madhe. Nëse do të merrja ndonjë ftesë për mision nga Legjioni, do të nisesha menjëherë”. Varësia nga Legjioni nuk e lë atë të qetë. Në njëfarë mënyre, ai edhe sot është i angazhuar: si oficer për siguri në një firmë të njohur franceze-natyrisht e angazhuar në rajonet e krizës, si në Jemen, Haiti apo në Rripin e Gazës.
“Rreziku, të cilit i hyn si legjionar, të bën të varur. Por kjo nuk do të thotë se ti e kërkon me vetëdije rrezikun. Është rreziku ai, i cili i josh ish-legjionarët në vatrat e krizës. Thjeshtë kemi frikë nga plakja dhe herë pas here na nevojiten angazhimet e tilla”, nënvizon Gast.