E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria, grabitjet dhe vrasjet tronditin Tiranën

Duket se krimi çdo ditë
e më shumë po bëhet
më i guximshëm, por
edhe duke shënuar
dështim dhe viktima nga ata që
vetëmbrohen. Në listën e grabitësve
me maska, që tashmë janë
thjesht kufoma, shtohet edhe
38-vjeçari Petrit Pjetri nga Puka, i
ekzekutuar nga babai i 4 fëmijëve
vetëm pak sekonda pasi doli nga
shtrati bashkëshortor. Persona
kriminalë, që prej kohësh "flinin",
duket se janë zgjuar. Nuk përbën
më lajm njoftimi se njerëz të
"veshur" me çorape të zeza në
kokë sulmojnë në mes të natës e
ditës biznese dhe familje që kanë
njëfarë nami se janë "të kamur".
Vetëm brenda 24 orëve të fundit,
3 grupe apo banda grabitësish,
kanë marrë guximin që me armë
"të nxehta" apo "të ftohta" të futen
nëpër shtëpitë e qytetarëve
për të kryer grabitjen e radhës.
Ngjarje këto të ndodhura vetëm
në kryeqytet dhe Durrës. Më e
rënda prej tyre, që përfaqëson
këtë fenomen kriminal në rritje
(gati të përditshëm në të gjithë
vendin), ka ndodhur vetëm 30
minuta pas mesnatës së datës 9
janar, në periferi të kryeqytetit.
Ka qenë ora 00:30, duke startuar
dita e shtunë, kur 41-vjeçari Feim
Llanaj ka zbritur në katin e parë të
ndërtesës ku zhvillon aktivitetin,
por edhe banon me familjen prej
6 vetash, dhe është përleshur me
një person të maskuar. Pasi i ka
rrëmbyer pistoletën, është ngjitur
në katin e dytë, ku një tjetër person
po me maskë e ka sulmuar
me një levë hekuri në dorë. Ka
mjaftuar tërheqja e këmbëzës së
armës dhe hajduti ka përfunduar
i plagosur rëndë, duke vdekur më
pas në Spitalin Ushtarak. Vetëm
20 minuta më pas, në Laknas
të Tiranës, "maskat" pasi kanë
lidhur të zotin e shtëpisë, janë
larguar, këtë herë të qetë, me
një shumë të konsiderueshme
lekësh...
Ngjarja
Sipas burimeve konfidenciale,
por edhe atyre zyrtare, gazeta
ka mundur të zbardhë të plotë
ngjarjen, mbështetur në deponimet
e biznesmenit Feim Llanaj
dhe bashkëshortes së tij në polici.
Mesnatën e parmbrëmshme,
bashkëshortja e Feim Llanajt
ka dëgjuar një zhurmë në katin
e parë të ndërtesës, ku ata me
familjen banojnë dhe njëkohësisht
zhvillojnë biznesin e tyre,
kryesisht servis automjetesh dhe
shërbim parukerie. Pas këtij sinjalizimi
nga gruaja e 41-vjeçarit,
Llanaj ka zbritur nga kati i tretë,
të cilin e shfrytëzojnë si shtëpi,
në katin e parë. Sipas rrëfimit të
tij në polici, fillimisht atij i ka bërë
përshtypje fakti që e gjithë godina
e kompleksit nuk kishte drita,
ndërkohë që nuk ishte e njëjta
situatë me gjitonët. Gjithsesi, nën
ndihmën e dritës së celularit ai ka
hapur derën kryesore. Pikërisht
në këtë moment, gjithmonë sipas
rrëfimit të tij në Drejtorinë e
Policisë së Tiranës, i është shfaqur
përpara një person me maskë në
kokë, i cili mbante një pistoletë
në dorë. Pas një ulërime tejet
të fortë (dëshmohet edhe nga
bashkëshortja), Llanaj, i cili ka
deklaruar se personi u bë gati
për ta qëlluar, i është vërsulur.
Pas përleshjes, pistoleta ka rënë
në tokë dhe grabitësi i maskuar
është larguar me vrap në drejtim
të një makine që priste në anë të
rrugës, ku ai ka hipur dhe është
larguar me shpejtësi. Pikërisht
në këtë moment, 41-vjeçari, pasi
ka marrë në dorë pistoletën, ka
njoftuar policinë në numrin 129,
duke kërkuar ndihmë dhe rrëfyer
ngjarjen e mësipërme. Më pas pa
lëshuar armën, është ngjitur nga
shkallët e jashtme drejt katit të
dytë, ku gjendej edhe magazina
e biznesit me pjesë këmbimi për
makina, si dhe zyra e tij. Kur ka
mbërritur në ballkonin që shërbente
edhe si "sheshpushim", ka
vënë re se dera e ambientit ishte
e hapur. Gjithmonë me pistoletën
në njërën dorë dhe celularin që e
përdorte si ndriçues, është futur
brenda. Në këtë moment, një person
i maskuar me një levë hekuri
në dorë, duke ulëritur dhe sharë
i është vërsulur. Ka qenë ky momenti
që Feim Llanaj ka tërhequr
këmbëzën e armës, vetëm një
herë. Personi i maskuar është
shtrirë përdhe pas një plumbi të
marrë në trup. Vetëm 2-3 minuta
më pas në vendngjarje kanë
mbërritur patrulla e policisë, që
pasi ka konstatuar se grabitësi
ishte i gjallë, e ka nisur urgjent
për në Spitalin Ushtarak. Pak çaste
pasi është marrë në dorëzim,
"maska" ende i paidentifikuar ka
vdekur.
Hetimi
Në vendngjarje kanë mbërritur
urgjentisht edhe specialistë
të seksionit të vrasjeve në Drejtorinë
e Policisë së Tiranës. Sipas
raportit të tyre, viktima është
gjetur me maskë dhe pranë tij ka
qenë një sasi e konsiderueshme
mall i grabitur, sistemuar në një
copë beze, gati për t‘u transportuar.
Bëhet fjalë për kompjuterë,
printer dhe veçanërisht pjesë
këmbimi. Pronari i biznesit,
Llanaj, ju ka dorëzuar armën dhe
më pas është shoqëruar për në
ambientet e drejtorisë së policisë
së kryeqytetit, ku do të qëndrojë
deri në përfundim të hetimeve
paraprake dhe vendimit të gjykatës
për masën e mëtejshme.
Po sipas policisë është vërtetuar
tashmë se në armën nga e cila u
qëllua Petrit Pjetri, janë gjetur
dy palë shenjash gishtërinjsh.
Ato të poseduesit të armës dhe
të biznesmenit që kreu vrasjen.
Identifikimi i personit me maskë
që është përleshur fillimisht me
biznesmenin, do të zbardhë
edhe disa dilema që ka tani për
tani policia për "pronarin" e
vërtetë të armës. Ndërkohë, dje
në mesditë, pas një pune tejet
intensive, është gjetur edhe
identiteti i grabitësit të vrarë. Ai
quhet Petrit Pjetri, i cili edhe pse
në Shqipëri nuk ka precedent penal,
sipas policisë së Pukës, nga
bashkëfshatarët njihet si person
problematik. Ndërkohë, policia
disponon të dhëna se 38-vjeçari
Pjetri ka qenë i skeduar dhe
dënuar në vendin fqinj, Greqi,
pikërisht për veprimtarinë e tij si
grabitës banesash dhe biznesesh
nëpërmjet dhunës. Pas identifikimit
të tij, u mësua njëkohësisht
se viktima e vetëmbrojtjes së
biznesmenit Llanaj, prej kohësh
banonte shumë afër kompleksit
"Llanaj", të cilin tentoi ta vidhte
parmbrëmë. Gjatë analizës hetimore,
nga grupi i ngritur enkas
për këtë ngjarje në Drejtorinë e
Policisë së Tiranës ende ka një
moment të errët, i cili pritet të
sqarohet pas marrjes përfundimtare
të rezultateve të ekspertizës
mjeko-ligjore për kufomën.
Feim Llanaj, gjatë rrëfimit të tij
ka deklaruar se grabitësin e ka
vrarë për vetëmbrojtje brenda
ambienteve të magazinës së biznesit
në katin e dytë të objektit.
Por grupi hetimor, pas këqyrjes
së vendngjarjes, nuk ka gjetur
asnjë pikë gjaku në vendin ku
ishte i plagosur. Shenja gjaku
janë gjetur te shkallët që të çojnë
drejt vendngjarjes. Gjithsesi, tani
për tani dyshohet se trupi i të
qëlluarit vetëm nga një plumb
ka pasur hemorragji të plagës
vetëm gjatë transportimit nga
policia dhe jo në moment. Është
ekspertiza-mjekoligjore që do të
thotë fjalën e fundit për këtë fakt
të dyshimtë. Ajo pritet të dalë sot
publikisht.

Baba i katër fëmijëve, nga gomat e përdorura, në kompleks biznesi

Sipas të afërmve të biznesmenit që vrau
"maskën" në brendësi të shtëpisë dhe
kompleksit të tij, Feim Llanaj është nga Tepelena
dhe për shumë vite së bashku me
familjen ka jetuar dhe punuar si emigrant
në Greqi. Babai i katër fëmijëve të vegjël,
aktualisht gjendet i shoqëruar nga policia
e kryeqytetit, pas ngjarjes së rëndë që
ndodhi mesnatën e 9 janarit 2009, ku në
përpjekje për të mbrojtur familjen, vetveten
dhe biznesin, vrau një nga grabitësit e maskuar
brenda ambienteve të kompleksit të
tij. Përpara 10 vitesh, me kursimet e tij ka
hapur biznesin e parë në Tiranë, (Unaza e
Madhe, afër Doganës), i cili ishte një gomisteri.
Më pas, duke investuar në vendin
ku edhe ka sot "Kompleksin Llanaj", ai e
zgjeroi aktivitetin duke ngritur një linjë të
plotë për servisin e automjeteve, dyqan për
shitjen e pjesëve të këmbimit për makina,
si dhe një parukeri, e cila administrohej
nga bashkëshortja. Familja Llanaj vetëm
brenda një kohe të shkurtër ka pasur disa
fatkeqësi radhazi. I kanë vdekur dy vëllezër
dhe babai nga mbytja dhe sëmundje të
rënda.

"Maskat" grabisin 1.2 milionë lekë në një familje në Kamzë

Tri persona të armatosur lidhin dhe torturojnë familjen Matraxhiu

Vetëm 20 minuta pasi policia
e kryeqytetit ishte njoftuar
për tentativën e grabitjes
së një biznesi nga "maskat", te
Dogana, ku gjeti vdekjen një
prej tyre, është njoftuar një tjetër
ngjarje e ngjashme. Tri persona të
armatosur dhe të maskuar kishin
grabitur familjen e një emigranti
në Kamzë. Autorët kanë lidhur
pjesëtarët e familjes dhe më pas
i kanë rrahur. Ngjarja ka ndodhur
mëngjesin e djeshëm në fshatin
Laknas, kur së paku katër persona
ende të paidentifikuar kanë
mundur të futen në banesën
e fshatarit Isuf Matraxhiu, nga
edhe kanë marrë një sasi prej
rreth 1.2 milionë lekësh të reja.
Paratë mësohet se janë pjesë
e kursimeve dhe dërgesave të
djalit të Matraxhiut emigrant në
Greqi, prej një periudhe rreth 8
vite. Pasi autorët kanë hyrë në
banesë, kanë bastisur shtëpinë
dhe më pas kanë nisur të rrahin
personat që ndodheshin aty. Kjo
ka bërë që familja të dorëzohet
dhe të tregojë vendndodhjen e
parave të familjes. Më pas ata
janë larguar. Sipas burimeve policore,
grabitësit kanë përdorur
një automjet që ka qenë parkuar
në një largësi jo shumë të madhe
nga banesa e familjes. Këta të
fundit kanë lajmëruar policinë.
Një grup i ngritur enkas për
ngjarjen e rëndë ka nisur menjëherë
hetimet për të zbardhur
autorët e mundshëm të krimit.
Nga këqyrja e kryer, policia ka
administruar një sasi të konsiderueshme
gjurmësh, por sipas
burimeve të policisë dyshohet
se provat e gjetura mund të mos
jenë të vlefshme. Kjo për shkak
se sipas deklarimeve të familjes
së dëmtuar, grabitësit kanë qenë
me maska, të armatosur dhe me
doreza. Këto masa mësohet se
janë marrë paraprakisht për të
eliminuar lënien e shenjave të
mundshme të identitetit të tyre.
Policia ka shoqëruar në ambientet
e saj më tepër se 10 persona
në cilësinë e të dyshuarve, por
të gjithë ata janë lënë të lirë pas
verifikimeve të kryera dhe pas
marrjes në pyetje. Ekspertët kanë
marrë në banesë disa ngjitës natribani
dhe litar, me të cilët kanë
qenë lidhur anëtarët e familjes
së sulmuar. Ato janë marrë nga
ekspertët me qëllim verifikimin
e vendit ku mund të jetë blerë
apo gjetjes së një momenti për
t‘u orientuar drejt autorëve të
mundshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›