Varfëria, ushtari me pagesë i jep fund jetës
Një ushtar profesionist i ka dhënë fund jetës nga varfëria. Kjo është pista e policisë për ngjarjen e ndodhur te rruga "Bajram Curri" në Kinostudio, ku Bekim Selmani i ka dhënë fund jetës duke përdorur fostoksinë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, kur ai ishte kthyer nga reparti te "Rrapi i Treshit" në Kinostudio. 25-vjeçari Selmani, lindur në Tropojë, me detyrë ushtar profesionist, ka konsumuar një sasi fostoksine. Kanë qenë të afërmit e tij, të cilët e kanë gjetur të riun duke rënkuar disa momente, pasi ai kishte pirë sasinë e helmit. Ata e kanë dërguar atë menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak. I riu, edhe pas ndihmës së marrë nga ana e bluzave të bardha, nuk ka mundur dot të mbijetojë, për shkak të sasisë së madhe të helmit që kishte konsumuar. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Selmani kishte tre vjet që punonte te reparti "Rrapi i Treshit", si ushtar profesionist me pagesë. Këtë detyrë ai e ka kryer për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Menjëherë në repartin "Rrapi i Treshit" kanë shkuar efektivat e Komisariatit Nr. 4, Tiranë, të cilët kanë kryer edhe veprimet e para hetimore në lidhje me ngjarjen. Në pyetje janë marrë disa kolegë dhe të afërm të 25-vjeçarit, për arsyen që e shtynë atë t‘i jepte fund jetës. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se Selmani, prej disa kohësh kishte marrë një kredi në bankë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ai jetonte.