Ishte shpallur i humbur, gjendet i mbytur në lumë
Djali i tij kishte kërkuar ndihmën e policisë, pasi ishte larguar nga shtëpia prej disa ditësh, por nuk i kishte shkuar ndërmend se do ta gjente të vdekur. Bëhet fjalë për mbytjen e një 73-vjeçari në një lumë në Kamzë, i cili është gjetur i pajetë mbrëmjen e së premtes. Banorët e fshatit Bruk kanë njoftuar policinë se në lumin që kalon aty, ka dalë kufoma e një njeriu të mbytur. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, të cilët kanë njoftuar edhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Sipas policisë, njoftimi është dhënë rreth orës 20.30 dhe për disa orë kanë qëndruar në vendin e ngjarjes. Në pamundësi për ta identifikuar që në fillim, trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës, ku i është nënshtruar ekspertizës. Mjekësia Ligjore ka konkluduar se ai nuk kishte shenja dhune dhe kishte ndërruar jetë nga mbytja. Më vonë, policia ka menduar se ai ishte Rakip Nebo, 73 vjeç, i cili rezultonte person i zhdukur. Sipas të dhënave hetimore, tri ditë më parë, në Komisariatin Nr. 5 ishte paraqitur Bujar Nebo, 38 vjeç, i cili kishte kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e babait. Ai ka treguar për oficerin e policisë gjyqësore se babai ishte larguar nga banesa që me datë 28 korrik dhe nuk ishte kthyer më. Menjëherë, policia ka nisur kërkimin për gjetjen e tij, por kishte dështuar deri mbrëmjen e së premtes, kur kufoma e tij ka dalë në breg të lumit. Sipas policisë, në orët e mbrëmjes është thirrur djali i viktimës për të bërë njohjen. Pas kësaj, policia ka nisur hetimet nëse ngjarja në fjalë është aksidentale, apo 73-vjeçari i ka dhënë fund jetës, duke u mbytur në lumë.