Varrezat murale, trupi mund të zhvarroset pas 30 vjetësh

Panarati gjatë takimit për varrezat murale
Bashkia mbledh përfaqësuesit e feve: Sdo lejojmë precipitimin e situatës.
Komuniteti Mysliman: Për ne alternativa e vetme është toka.
Vendosje në varreza murale vetëm të atyre personave që kanë mbi 30 vjet që kanë vdekur. Është parë si zgjidhje e pranueshme edhe nga komunitetet fetare. Për ti dhënë udhë problemit me varret në Tiranë, Bashkia nisi dje konsultimet me përfaqësuesit e bashkësive fetare, qytetarëve të Tiranës dhe ekspertëve. Bashkësitë fetare rishprehën qëndrimin e tyre të pasqyruar në gazetën Panorama përpara disa ditësh. Përfaqësuesit e të krishterëve mbështetën propozimin e Bashkisë së Tiranës, sipas të cilit, varret e vjetra, gati gjysmëshekullore, mund të kalojnë në sistem mural dhe trualli i fituar tu vihet në dispozicion familjeve të Tiranës për një trajtim dinjitoz të nevojave të tyre. Komuniteti Mysliman është kundër varrezave murale. Por, sipas përfaqësuesve të tij, feja njeh prishjen e parcelave që kanë kaluar mbi 33 vjet dhe ripërdorimin e tokës. Zv.kryetari Edmond Panariti theksoi se Bashkia nuk kërkon të imponojë asgjë, por të trajtojë rast pas rasti të gjitha nevojat dhe tu japë zgjidhje kërkesave të banorëve për hapësira për varrim sipas ligjit, sistemeve më të përparuara bashkëkohore dhe në respekt të vullneteve të qytetarëve. Çdo vit kërkohen rreth 1.5 hektarë në dispozicion të nevojave të qytetit për shërbimet funerale. Ne nuk mund të lejojmë që situata të precipitojë në një pikë të pakthyeshme tashmë, edhe përballë stresit e presionit të madh që po ushtrohet në të dyja varrezat publike të Tiranës, edhe rrugët e ndërmjetme janë të bllokuara, praktikisht varrimet po kryhen në vende të papërshtatshme gjeologjikisht apo edhe nga pikëpamja ekologjike, një praktikë e cila duhet ndaluar sepse nuk është dinjitoze për të ndjerët, nuk është dinjitoze për familjet e tyre, për Bashkinë dhe qytetarinë tiranase, tha Panariti.
Bashkësitë fetare
Kreu i Komuniteti Mysliman, Selim Muça, solli në vëmendje se edhe feja myslimane parashikon që parcelat që janë mbi 33 vjet të vjetra, mund të prishen, por, sipas tij, duhet parë nëse ka të tilla. Edhe sipas fesë, një parcelë e mbushur me varreza që i ka kaluar, deri 33 vjet është afati, por që i ka kaluar 33 vjet dhe në këtë parcelë toke nuk është bërë asnjë varrim tjetër, ato mund të prishen, mund të futet autokombajna apo traktori, të punohet toka, por te ne nuk është vepruar kështu, sepse në varreza të vjetra, meqenëse ka qenë ngushticë për tokën, gjithnjë kanë varrosur njerëz të rinj, gjithnjë kanë varrosur të vdekur të rinj dhe nuk mund të përcaktohet se cila parcelë ka mbetur minimumi 33 vjet e papërdorur, tha Muça. Gjithsesi, ai theksoi se e vetmja alternativë që njeh feja myslimane është varrosja në tokë. Në këtë kontekst, ata që e kanë si detyrë, qeveria dhe Bashkia në këtë rast, bashkë me minibashkitë, duhet të interesohen për të gjetur një tokë, e cila në Shqipëri akoma nuk mungon, tha Muça.
Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse janë shprehur në mbështetje të propozimit të Bashkisë së Tiranës për ti vendosur në varreza murale ata që kanë mbi 30 vjet që kanë vdekur. Përfaqësuesit e Kishës Katolike thanë se varrezat murale janë tashmë të konsoliduara në Europë dhe SHBA. Ata theksuan se nëse dikush nuk i do varrezat murale, duhet të ketë dhe alternativa të tjera.
Edhe përfaqësuesit e Vëllazërisë Ungjillore mbështetën propozimin e Bashkisë së Tiranës për varrezat murale.
Nënkryetari i Bashkisë, Panariti
Ne nuk mund të lejojmë që situata të precipitojë në një pikë të pakthyeshme tashmë, edhe përballë stresit e presionit të madh që po ushtrohet në të dyja varrezat publike të Tiranës, edhe rrugët e ndërmjetme janë të bllokuara, praktikisht varrimet po kryhen në vende të papërshtatshme gjeologjikisht.Kreu i Komunitetit Mysliman, Muça
Edhe sipas fesë, një parcelë e mbushur me varreza që i ka kaluar, deri 33 vjet, dhe në të nuk është bërë asnjë varrim tjetër, të punohet toka. Por te ne gjithnjë kanë varrosur njerëz të rinj, gjithnjë kanë varrosur të vdekur të rinj dhe nuk mund të përcaktohet se cila parcelë ka mbetur minimum 33 vjet e papërdorur.Kisha Ortodokse, Atë Andon Merdani
Më e mira të të gjithave është të vijojë e njëjta traditë, që njerëzit të varrosen në tokë e mundësisht të qëndrojnë atje, por ekzistojnë tradita edhe në vendin tonë, në vende ortodokse, ku pas tri vjetësh, kur dikush është varrosur në tokë dhe trupi i tij është dekompozuar, ata zhvarroseshin.Kisha Katolike, Dom Gjergj Meta
Në traditën katolike, dhe këtu flas për traditën perëndimore, ku përshihen edhe tradita ungjillore që kanë lindur në Europë apo SHBA, varrimet murale janë një fakt i konsoliduar tashmë, sigurisht, sipas rregullave të fizikës. Në Itali ka një praktikë të tillë, që disa vite qëndrojnë në tokë dhe më pas kalon në këto varrezat murale.Vëllazëria Ungjillore, pastor Muça
Për komunitetin ungjillor ky është një problem i zgjidhur, kur edhe në Perëndim këto varre murale ekzistojnë. Ajo që do të thosha është që parapërgatitja e agjencive që do të merren me funeralet apo me zhvendosje të kenë eksperiencë dhe të shkojnë ta marrin këtë në vendet perëndimore, për ta bërë në mënyrën e duhur.
ZIRINA LLAMBRO