Të rejat nga fushata e vjetër
Pardje, në median e shkruar, Partia Socialiste pati shpërndarë lajmin e “zbulimit” të strategjisë së saj elektorale për zgjedhjet e qershorit. Një kompani e huaj, fushatë “derë më derë” dhe angazhim i “të rinjve” në një komunikim të drejtpërdrejtë me votuesit ishin tre përbërësit kryesorë të këtij lajmi, i cili duhet analizuar nëse vërtet mund të klasifikohet si lajm. Duke hamendësuar dhe disa slogane si “Bashkimi i ri për ndryshim” apo “Vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim”, Rama po tenton në këtë mënyrë që të krijojë perceptimin publik paraprak të ofertës së tij politike. Dhe jo pa drejtë, kureshtja e vëzhguesve të politikës në këta muaj parazgjedhorë po fillon të rritet ndaj strategjive të blloqeve dhe partive të mëdha politike për mënyrën se si ato do të shfaqen në garën e qershorit. Sa më lart, pjesa e marketingut politik që ka të bëjë me taktikat elektorale, fushatimin, shpërndarjen e mesazhit, është një llokmë e rëndësishme e përgatitjes së fitores apo humbjes së zgjedhjeve. Për aq kohë saqë politika është pazgjidhshmërisht e lidhur me perceptimin, vetëkuptohet se teknika e ndërtimit të perceptimit është një mjet për të arritur qëllimin. Po vetë qëllimi çfarë është dhe si po profilizohet nga Partia Socialiste, si lajmësja e parë e strategjisë elektorale të bërë me dije një ditë më parë në media?
Tri elemente binin në sy në këtë komunikim. I pari ishte ai i sloganit “Bashkimi i ri për ndryshim”. I dyti, shpallja e “Vullnetarëve të bashkimit të ri për ndryshim”. Elementi i tretë ishte ai i kontraktimit të një kompanie të huaj që do të drejtojë fushatën elektorale të partisë më të madhe të opozitës. Duke u nisur nga kjo e fundit, mund të thuhet pa hezitim se kontraktimi i një kompanie të huaj që do të ndërtojë skemën dhe zbatimin e fushatës elektorale, nuk përbën më lajm. Jo vetëm sepse LSI-ja tashmë e ka bërë të ditur të njëjtin fakt për vete, por sepse nuk do të ishte hera e parë që një taktikë e tillë përdoret për të krijuar një imazh dhe komunikim që përgjithësisht ekspertiza vendase nuk e prodhon dot. Elementi tjetër i bërë me dije nga burimet e PS-së ishte ai i “vullnetarëve të rinj”, të cilët do të dalin të zhvillojnë një fushatë “derë më derë”, pra kontaktin e drejtpërdrejtë me votuesit me qëllim bindjen e votuesve për të votuar për partinë më të madhe të opozitës. A është ky një lajm? Edhe në këtë rast përgjigja do të ishte negative, për shkak të kujtesës që kemi për ngritjen e “çadrave elektorale” gjatë zgjedhjeve të vitit 2003 nga zoti Rama. Në atë kohë, përpjekja për të trembur kundërshtarin demokrat me ngritjen e çadrave që nënkuptonin një angazhim masiv të rinisë për të mbështetur kandidatin socialist, rezultoi të ishte një bllof që nuk zgjati as edhe një javë. Në krye të ditës së shtatë të ngritjes së çadrave, të vetmit të rinj që gjendeshin në to ishin disa eurosocialistë të zhgënjyer nga indiferenca e rinisë, diçka e natyrshme për pjesëmarrjen e ulët të kësaj shtrese në proceset zgjedhore. Ndërkohë që të vetmit të rinj që iu përgjigjën thirrjes së Ramës për ta mbështetur, ishin disa personazhe të njohura si “të fortët”, që futën duart ku të mundeshin e si të mundeshin në kutitë e votimit, duke rritur artificialisht numrin e votave për kryetarin.
Elementi i tretë i lajmit të supozuar si pjesë e strategjisë novative të PS-së është ai i sloganit “Bashkimi i ri për ndryshim”. Pikësëpari, fjala “bashkim” është përdorur më shumë se një herë në të shkuarën. Sa për kujtesë, koalicioni i djathtë është emërtuar “Bashkimi për fitore” pak vite më parë, po aq sa fjala “ndryshim” tek “Koha për ndryshim”. Në këtë mënyrë të tria risitë e fushatës së ardhshme elektorale të PS-së janë plagjiatura të vetes dhe kundërshtarit të saj. Vetë-vjedhja e sloganeve apo përdorimi i sloganeve të përdorura nga kundërshtari tregojnë se në këtë fushatë të ardhshme, PS-ja do të imitojë pjesë nga e shkuara, çka natyrshëm nuk përfaqëson asgjë të re.