RENEA, plumb në gjoks vrasësit të dyfishtë
Mbetet i vrarë në përplasje me RENEA-n një i shumëkërkuar nga policia. Lazer Pal Vuksani, 67 vjeç, i dënuar me 23 vjet burg si autor i dy vrasjeve dhe një plagosjeje, ka mbetur i vdekur gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale në zonën e thellë malore Dukagjin-Shllak, në kufi me Tropojën. Dyzet minuta ka zgjatur shkëmbimi i zjarrit mes forcave speciale RENEA dhe të shumëkërkuarit nga Shkodra gjatë operacionit për kapjen e tij. Të thirrurave për dorëzim ai u është përgjigjur me breshëri dhe në asnjë mënyrë nuk ka pranuar të dorëzohet. Pas gjithë tentativave të mundshme, forcat speciale janë detyruar të kundërpërgjigjen me zjarr, duke e plagosur rëndë. Ai është dërguar menjëherë në spital, por atje ka vdekur. Ndërsa nga RENEA është dëmtuar një efektiv special, por jo nga plumbat. Ai ka pësuar dëmtime në këmbë për shkak të terrenit të vështirë, ku fshihej i shumëkërkuari Lazër Vuksani. Burimet nga specialet thanë se ata kishin shkuar që me natë për të rrethuar zonën, pasi kishin marrë informacione të sakta për vendndodhjen e tij. Pasi kanë siguruar që mos të kishin dëme në njerëz, ata i kanë bërë thirrje Vuksanit, i cili e kishte mbushur banesën me arsenal dhe ishte betuar të mos dorëzohej i gjallë.
Informacioni në policiNgjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 11:00 në fshatin Vilë të Komunës Temal në krahinën e Dukagjinit, ku i shumëkërkuari jetonte me nënën e tij. Ka qenë një informacion i marrë në rrugë operative që ka sinjalizuar policinë e Shkodrës se i shumëkërkuari, i cili jetonte si kaçak nëpër male, ishte kthyer në shtëpinë e tij. Duke parë rrezikshmërinë e këtij shtetasi, që sipas policisë u kishte shpëtuar disa herë aksioneve të bluve për prangosjen e tij, është kërkuar mbështetje dhe nga forcat RENEA. Disa herë policia kishte ndërmarrë operacione për kapjen e tij, por nuk e kishte gjetur në banesë. Hera e fundit ishte informacioni që vuri në lëvizje RENEA-n, e cila menjëherë e lokalizoi të shumëkërkuarin në një kasolle përballë banesës, ku ai kontrollonte zonën për t’i shpëtuar policisë.
Operacioni i RENEA-sPër dy net rresht, RENEA ka udhëtuar drejt vendndodhjes së tij. Burimet tregojnë se në orët e para të mëngjesit kanë mbërritur para banesës së Vuksanit dhe kanë studiuar zonën. Ata kanë kuptuar se ai nuk qëndronte në shtëpi, por në një kasolle që kishte ndërtuar përballë saj, me qëllim që t’i shpëtonte policisë. Fillimisht nga banesa ka dalë nëna e tij, e cila po shkonte të nxirrte lopën për kullotë. Në ato momente, forcat speciale e kanë izoluar dhe e kanë larguar nga zona e kuqe. Më pas ata janë drejtuar drejt kasolles, ku fshihej Vuksani, duke i bërë thirrje që të dorëzohej. Ai është përgjigjur me breshëri automatiku dhe kasollen e kishte me dy dalje. Në anën e kundërt, ku ai mendonte se nuk kishte forca speciale, ndodhej një rrëpirë rreth 50 metra, nga ku kishte menduar arratisjen. Sapo ai ka zbritur poshtë, e ka gjetur veten mes dy grupeve të RENEA-s. Një grup prej tre vetash i ka dalë përballë, duke e mbajtur nën shënjestër me armë automatike dhe i kanë bërë thirrje të dorëzohet. Ai ka qëlluar në drejtim të tyre, por është përballur me një plumb të vetëm në gjoks. I dergjur përdhe, forcat speciale e kanë nxjerrë në vend të fshehtë dhe menjëherë kanë njoftuar helikopterin, i cili në atë kohë po patrullonte zonën, me qëllim që Vuksani mos të arratisej.
Deklarata e policisëNë operacion kanë marrë pjesë dhe drejtues të policisë së Qarkut Shkodër. Burime nga policia e Shkodrës sqarojnë se në kushtet e vetëmbrojtjes, kur jeta e forcave të RENEA-s po vihej në rrezik, këto të fundit janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë shumëkërkuari për dy vrasje dhe plagosjen e një personi. I plagosuri është nisur për në spital me helikopter, por ai ka vdekur sapo ka mbërritur atje. Sapo janë sinjalizuar për vdekjen e të kërkuarit, në vendngjarje ka udhëtuar me shpejtësi një grup i Prokurorisë së Shkodrës, që ka nisur verifikimin dhe dokumentimin ligjor të të gjithë ngjarjes në fjalë, që u mbyll me vrasjen e të shumëkërkuarit Vuksani.
#