E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Koalicioni me PS? Kemi qenë konstantë në qëndrim

Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim gjetën rastin dje të risqaronin pozicionin e tyre para dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, theksoi se qëndrimi i LSI-së është në koherencë të plotë me të gjithë objektivat dhe veprimet e saj politike. "LSI ka pasur objektiv të pandryshuar të saj fitoren e të majtës dhe progresistëve dhe nxjerrjen në pension politik të Berishës më 28 qershor dhe ka vepruar në funksion të këtij qëllimi", tha Vasili. Ai vuri në dukje se LSI ka qenë e bindur në qëndrimin e saj se socialistët dhe progresistët do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Për rrjedhojë, shtoi sekretari i përgjithshëm, nëse LSI do t‘i duhet që të bëjë një aleancë politike, natyrshëm do ta bëjë me Partinë Socialiste. Bazuar në deklaratat e fundit, jo vetëm që ka zbutur tonet, por LSI ka filluar të flasë për fitoren e së majtës në këto zgjedhje. "Koalicioni fitues i socialistëve dhe progresistëve pas 28 qershorit 2009, do të jetë demonstrim i solidaritetit dhe përgjegjësive të mëdha për zgjidhjen e problemeve të vendit dhe aspiratave të mijëra qytetarëve në luftë me varfërinë, sigurimin e një vendi pune dhe të drejtësisë sociale", deklaroi Vasili. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi po dje, reagim të menjëhershëm dhe marrjen e gjitha masave përballë situatës që është krijuar në vend nga moti. "LSI i kërkon qeverisë që të marrë masa të menjëhershme për t‘u ardhur në ndihmë mijëra familjeve të dëmtuara nga kjo situatë e rëndë", nënvizoi Vasili. Në vlerësimin e tij qeveria dhe pushteti vendor duhet të bashkëpunojnë intensivisht dhe pa asnjë paragjykim politik, duke pasur prioritet të vetëm që t‘u vijnë sa më parë në ndihmë mijëra qytetarëve të prekur nga pasojat. LSI u ndal sërish te kërkesa konkrete për banorët e Synejit. Dy ditë pas vizitës që ish-kryeministri Ilir Meta bëri në këtë komunë ku u shembën disa shtëpi, LSI kërkoi me insistim dëmshpërblimin e qytetarëve sipas ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›