E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Krimi ordiner po kthehet në shqetësim real për qytetarët

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes
Socialiste për Integrim, Petrit Vasili,
dje në një konferencë për shtyp nuk
shfaqi asnjë shenjë shqetësimi për grupin
e ashtuquajtur "rebel" brenda partisë, ku
është një nga themeluesit dhe drejtuesit
kryesorë. Ata që dolën së fundi hapur
kundër kryesisë e kryetarit Meta, duket se
nuk përbëjnë ngjarje surprizë për pjesën
institucionale të kësaj lëvizjeje. Vasili dje
shfaqi hapur shqetësimin për situatën
në degradim të qetësisë publike të qytetarëve
rezidentë të Shqipërisë, por edhe të
miliona turistëve të shumtë, duke i dhënë
kështu edhe disa "këshilla" Ministrisë së
Brendshme, e cila sipas zërave mediatikë
mund të jetë pjesë e negociatave për
kabinetin e ri që pritet të legjitimohet në
fillim të muajit shtator. Ja çfarë artikuloi
dje Vasili për shqetësimet në rritje të
komunitetit në lidhje me sigurinë e jetës
dhe pasurisë shfaqur më së shumti kohët
e fundit: "Jemi përpara jush për të ngritur
një shqetësim që është verifikuar në
jetën publike në vend, sigurisht dhe për
arsye të fluksit të madh të njerëzve, për
shkak të turizmit që po shënon në këto
ditë piku, por sigurisht duke krijuar edhe
disbalancat e tyre, ka sjellë një situatë të
papëlqyer, ku keqbërës të ndryshëm të
shënojnë një lloj intensifikimi të krimit
ordiner dhe atij të rrugës. Ne jemi këtu
që të tërheqim vëmendjen e forcave të
rendit, që krahas betejave të tyre dhe sakrificat
me të cilat përballen ata përditë,
nuk duhet zbehur aspak vëmendja ndaj
goditjes, zbulimit në kohën e duhur dhe
sa më shpejt të këtij fenomeni aspak të
këndshëm që po vihet re me shqetësim të
madh nga shumica e qytetarëve. Njëkohësisht
ne i sugjerojmë Ministrisë së
Brendshme, në mënyrë të veçantë që ajo
të intensifikojë dhe të ndërtojë një raport
sa më intensiv me qytetarët për sigurimin
e informacionit sa më të plotë, në kohë
reale, duke siguruar dhe konfidencialitetin
e informatorëve, me qëllimin e
vetëm kapjen dhe izolimin e këtij kontingjenti
që ka filluar të kthehet në një
problem shqetësues për komunitetin.
Mendoj që ky shqetësim dhe zgjidhja e
tij, duhet të jetë një konstante e këtij institucioni,
sepse në fund të fundit siguria
e qytetarëve matet me atë "jetë të qetë"
që ata bëjnë, dhe me shqetësimin që
ata ndiejnë nga ky krim ordiner, por që
është një rrezik shoqëror, i cili i bën ata të
mos jenë të sigurt. Në këtë pikëpamje ne
shprehim mbështetjen tonë për të qenë
pjesë solidare me Policinë e Shtetit në
betejën e saj për të fituar qoftë me krimin
ordiner apo edhe me atë të organizuar",
përfundon deklaratën sekretari i përgjithshëm
i Lëvizjes Socialiste për Integrim,
Petrit Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›