E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Evropian: E djatha fiton zgjedhjet

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Karakteristikat kryesore të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian janë humbja e votave prej partive qeveritare, rritja e numrit të votave për partitë e djathta ekstremiste dhe pjesëmarrja e ulët në votime. Në nivelin e BE-së votuan rreth 43 për qind, që është një rezultat negativ. Në këtë nivel ka qenë edhe pjesëmarrja e zgjedhësve në votimet në Gjermani. Votimet nisën të enjten, më 4 qershor në Holandë dhe në Britaninë e Madhe, të premten dhe të shtunën pasuan votimet në gjashtë vende të tjera anëtare. Ndërsa të dielën u votua në 19 vende. Austria dhe Holanda janë shembuj ekstremë të një tendence të përgjithshme: shumë zgjedhës kanë dashur të dënojnë partitë në pushtet dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre për partitë kritike ndaj BE-së dhe të ashpra në politikën ndaj të huajve. Në marrjen e vendimit nga zgjedhësit kësaj radhe ka ndikuar shumë kriza ekonomike. Partitë konservatore kanë fituar numrin më të madh të votave edhe në Gjermani, Bullgari, në Qipro dhe Francë. Britania e Madhe është një shembull më vete, pas skandaleve të fundit me shpenzimet e politikanëve dhe dorëheqjet e shumë ministrave. Në shumë vende, rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë të bëjnë me politikën ndaj Evropës, por me politikën brenda vendit. Me shumë vëmendje u prit edhe rezultati në Irlandë, për shkak të dështimit në referendumin e fundit të Marrëveshjes së Lisbonës. Opozita shënoi fitore ndaj partisë në pushtet. Mirëpo në përgjithësi, në BE kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Konservatorët mbeten më të fuqishmit, ndërsa në vend të dytë janë socialistët dhe socialdemokratët, ndonëse kanë shënuar humbje të mëdha. Një rol më të fuqishëm pas këtyre zgjedhjeve me siguri që do të kenë ekstremistët. Kryetari i Parlamentit të Evropës, Hans-Gert Pëtering, ka frikë se bashkëpunimi me ta do të jetë i vështirë. "Me kënaqësi më duhet të them se partitë proevropiane kanë fituar një shumicë të madhe. Nga partitë që janë kundër Evropës pres që në Parlamentin e Evropës të jenë konstruktive dhe të bashkëpunojnë. Urime për të gjithë deputetët e rinj", - theksoi Hans-Gert Pëtering. Megjithatë, suksesi i skeptikëve evropianë ka shkaktuar një lloj shoku tek deputetët e deritanishëm në Parlamentin e Evropës, por kjo është një çështje që duhet të analizohet në ditët e ardhshme. Gjermania, që është vendi me popullsinë më të madhe, ka edhe numrin më të madhe të deputetëve 99, kurse Malta që është vendi më i vogël ka vetëm 5 deputetë.

Tendenca
Partitë e gjelbra rrisin numrin e deputetëve

Partitë e gjelbra, që mbështesin projektet ekologjike për zhvillimin ekonomik të vendeve të Evropës, shënuan sukses të dukshëm në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Sipas rezultateve të votimit katërditor në vendet anëtare të BE-së, Aleanca e Lirë Evropiane, ku hyjnë të Gjelbërit, fitoi 51 prej 736 vende në Europarlament në krahasim me 43 në parlamentin paraprak me 785 anëtarë. Në këtë aleancë marrin pjesë edhe parti proevropiane më të vogla dhe të pavarura. Zëdhënësi i të Gjelbërve i vlerësoi rezultatet e votimit si “shumë pozitive”.

Ekstremi
Radikalët e djathtë rrisin prezencën në Europarlament

Partia e ekstremit të djathtë, kundër-emigracionit, Partia Kombëtare Britanike, (BNP) ka fituar për herë të parë në zgjedhjet për Parlamentin Europian mes sugjerimeve se partitë e ekstremit të djathtë kanë marrë më shumë vota në disa vende. Në Holandë euroskeptikët, partia antiislamike e politikanit kontravercial Gert Uilders, doli e dyta në zgjedhje. Në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, e ka dyfishuar prezencën e saj. Partitë e krahut të djathtë po ashtu duket se kanë dalë mirë në Hungari dhe Finlandë. Udhëheqësi i Partisë Nacionaliste Britanike, Nik Grifin, e ka mirëpritur rezultatin dhe tha se britanikët e bardhë nuk duan që të diskriminohen më. Një ministër i kabinetit, Andi Burnham, e quajti këtë “një moment të trishtuar të politikës britanike”.

Merkel

“Zgjedhjet tregojnë tendencën për ato legjislative”
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nënvizoi pas fitores nga konservatorët të zgjedhjeve evropiane në Gjermani, se rezultati tregon një tendencë për zgjedhjet legjislative që do të zhvillohen më 27 shtator, gjatë të cilave ajo parashikon një rizgjedhje. "Dua të them se ky nuk është vetëm një test elektoral për zgjedhjet legjislative, por kjo tregon një tendencë. Ky rezultat na jep kurajo, forcë dhe besim për sa u përket zgjedhjeve legjislative. Ju e imagjinoni që jemi të lumtur, pasi është një ditë e veçantë për CDU dhe CSU. Ne kemi arritur krejtësisht objektivin tonë elektoral”,- shtoi Merkel. Konservatorët e CDU-së dhe aleatët e tyre bavarezë të CSU-së janë renditur në krye të zgjedhjeve evropiane që u zhvilluan dje, me 37,9 për qind të votave. Socialdemokratët, partnerët minoritarë të qeverisë kanë marrë vetëm 20,8 për qind të votave.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›