Vasili: “Marrëveshja për bashkëqeverisjen PD-LSI është e pakthyeshme”
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e palëkundur në qëndrimin e saj për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike, duke rrëzuar çdo opsion për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, iu kundërpërgjigj dje edhe disa zërave kritikues brenda LSI-së, të cilët kërcënuan me largim nga kjo forcë politike në rast se kreu i LSI-së, Ilir Meta, do të firmoste marrëveshjen e bashkëqeverisjes me kryeministrin Sali Berisha. Vasili tha se marrëveshja PD-LSI është një vendim madhor dhe historik i Konventës së LSI-së, që është dhe forumi më i lartë i kësaj partie. Sipas tij, ky vendim jo vetëm që është i patjetërsueshëm dhe i pakthyeshëm, por është dhe obligim madhor i LSI-së që nga kryetari i saj deri tek anëtari i thjeshtë. “Procesi i negocimit është në fazën e tij përgatitore, qoftë në mënyrë të planit programor, e cila përbën dhe sfidën dhe risinë e re. Sepse kjo është një marrëveshje historike që nuk ka vënë asnjëherë në balancë interesat partiake, por ka vënë në radhë të parë dhe kjo është lehtësisht e lexueshme për këdo njeri normal dhe për mijëra qytetarë që e mendojnë kështu, pra ka vënë në plan të parë integrimin, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit. Në këtë pikëpamje po punohet në pjesën programore, në këtë platformë, e cila përbën thelbin dhe zemrën e kësaj marrëveshjeje, e cila në përputhje me afatet kushtetuese dhe jo më parë, do të konkludohet në ditët e para të shtatorit. Kështu që mendoj se kjo ecuri shumë pozitive, kjo qetësi dhe stabilitet i krijuar në vend, është falë këtij bashkëpunimi historik të LSI-së. Dhe kjo është një ëndërr jo vetëm për mijëra shqiptarë, por edhe për shumë dhe shumë të tjerë që kanë sakrifikuar edhe para viteve ‘90 për një Shqipëri të hapur dhe jo të izoluar, një Shqipëri në stabilitet dhe jo në kaos, një Shqipëri të qetë, dhe jo një Shqipëri të turbulluar”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. I pyetur se si i komentonte deklaratat e 5 anëtarëve të Kryesisë lidhur me këtë çështje, Vasili tha: “Komente që nuk kanë të bëjnë me ndonjë thelb politik, por që janë thjesht komente të nivelit të zëdhënësve të Bashkisë së Edi Ramës, nuk janë në interesin politik madhor ku ndodhet vendi dhe LSI-ja për t’u marrë me ta”.
Shaban Sulçe
26 Gusht 2009