E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhja e Kojës kryetar, PSV 91 çahet më dysh



Kryesia e Partisë Socialiste të Vërtetë (PSV '91) zgjodhi dje kryetar të përkohshëm të partisë, Gjergj Kojën, i cili do ta drejtojë partinë deri në kongresin e saj të ardhshëm. Rizgjedhja e Kojës në këtë post erdhi pas dorëheqjes së parevokueshme të ish-kryetarit të kësaj partie, Petro Koçi, pasi PSV '91 nuk arriti të realizojë objektivat e saj në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Do të marr të gjitha hapat e nevojshëm për riformatimin e kësaj partie, si dhe për të kontribuar në skenën politike shqiptare”, - ka deklaruar Koja pas mbledhjes së Kryesisë. Ai foli gjithashtu edhe për mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Socialiste, ku theksoi se PSV ‘91 është e hapur për bashkëpunim me PS-në, por vetëm në rast të largimit të Edi Ramës. Por, ndërkaq, zgjedhja e përkohshme e Kojës nuk është mirëpritur nga të gjithë anëtarët e Kryesisë së kësaj partie. 9 anëtarë të këtij forumi kanë bërë një deklaratë për shtyp, ku e kanë quajtur të parregullt zgjedhjen e kryetarit të ri. “Kryesia e PSV ‘91 dhe shumica e anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues janë të shqetësuar për këtë zhvillim brenda radhëve tona, për inskenime të tilla politike, që nuk e ndihmojnë aspak këtë forcë të krijojë profilin e vet të veçantë dhe konsolidimin e saj. Politika shqiptare ka nevojë për seriozitet, maturi, veprime racionale politike dhe jo për të plotësuar egot personale të njërit apo tjetrit individ, i cili, në vend të investohet për protagonizmin e forcës politike ku bën pjesë, investohet për dëmtimin e imazhit të saj dhe protagonizmin personal”, - thuhet në këtë deklaratë.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›