Braçe: “Kriza ka rrëzuar buxhetin e shtetit, sektorët jetikë, në gjendje alarmante”
Partia Socialiste jep alarmin për thellimin e krizës ekonomiko-financiare në Shqipëri. Deputeti socialist, Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp, e akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po vazhdon të shpërdorojë në mënyrë të papërgjegjshme fondet publike, duke refuzuar rekomandimet e dhëna nga ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë për marrjen e masave për rikuperimin e pasojave të kësaj krize. Braçe tha se po shënohen rënie të frikshme të të ardhurave në buxhet, të të ardhurave tatimore, të të ardhurave nga TVSH-ja, tatim-fitimi e akcizave si dhe nga të ardhurat e pushtetit vendor. Deputeti i Partisë Socialiste vuri alarmin edhe në rënien në nivel 40% të të ardhurave nga dërgesat e emigrantëve, zhvlerësimin e përshpejtuar të monedhës vendase, si dhe shtimin e kredive të këqija. Braçe përmendi gjithashtu edhe thellimin e deficit tregtar dhe rritjen e deficit buxhetor, i cili, sipas tij, po kalon të gjitha limitet e vendosura me ligj nga Kuvendi. “Në vend që të dëgjojë, t’i lexojë vetë analizat e kabinetit të tij mbi treguesit fiskalë të 7-mujorit, të cilave po u referohemi, Sali Berisha vazhdon teatrin e tij absurd të inaugurimeve për vepra për të cilat arka e shtetit nuk ka para. Kriza ka rrëzuar buxhetin e shtetit dhe arka e shtetit është bosh. Këtë e dëshmon më së miri realizimi i investimeve publike me paratë e buxhetit të shtetit, sipas raportimeve të thesarit te kryeministri i vendit. Duke dëshmuar krizën e arkës së shtetit, por edhe duke futur në krizë sektorët jetikë të jetës së vendit; rend siguri, mbrojtje, arsim, shëndetësi. Gjithë sa thashë, nuk janë salillëqe, por fakte, analiza, mbi të gjitha numra të 2 dokumenteve të kabinetit të Sali Berishës, që i fshihen qëllimisht publikut”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Sh. S.
Mosrealizimet e investimeve në dikasteret ministrore, sipas deputetit Braçe
1. Ministria e Bujqësisë ka realizuar vetëm 21.14% të investimeve për 7 muaj, 289.7 milionë lekë nga 1.3 miliardë lekë.
2. Ministria e Turizmit ka realizuar vetëm 23.62% të investimeve për 7 muaj, 155 milionë lekë nga 656 milionë lekë.
3. Ministria e Brendshme ka realizuar vetëm 9.71% të investimeve për 7 muaj, 148.9 milionë lekë nga 1.5 miliardë lekë.
4. Ministria e Mbrojtjes ka realizuar vetëm 16.50% të investimeve për 7 muaj, 1.06 miliardë lekë nga 6.4 miliardë lekë.
5. Ministria e Arsimit ka realizuar vetëm 20.9% të investimeve për 7 muaj, 1.4 miliardë lekë nga 6.9 miliardë lekë.
6. Ministria e Shëndetësisë ka realizuar vetëm 25.8% të investimeve për 7 muaj, 807 milionë lekë nga 3.1 miliardë lekë.
26 Gusht 2009