Gati formulari A4, mundësi tjetër për maturantët
Agjencia e Pranimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) ka përgatitur tashmë formularin A4 dhe do ta shpërndajë brenda pak ditësh në drejtoritë arsimore rajonale për t`u plotësuar nga të gjithë ata maturantë që nuk kanë arritur ende të përfshihen në universitet. Këto kuota janë rishpërndarë nga kuotat e mbetura bosh në universitetet publike, pas plotësimit të formularit A3, bëjnë të ditur burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Si plotësohet
Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se ky formular do të ketë të gjitha degët ku kanë mbetur kuota të parealizuara, duke shënuar degën dhe në krah të saj në kllapa numrin e kuotave të mbetura bosh.
Ashtu si edhe në formularin A2 e A3, kandidatët do të kenë mundësinë e përzgjedhjes deri në 10 degë studimi, duke i renditur ato sipas preferencës së tyre. Në këtë mënyrë, ata do të vendosin numrin e preferencës së tyre (nga 01 deri në 10) në krah të degës që ata preferojnë dhe më pas numrin e degës përkatëse në kutizat bosh, që janë vendosur në anën e djathtë të formularit A4, ku ndodhen 10 kuadrate me numrat rendorë përkatës nga 1 deri në 10. Këta numra rendorë përfaqësojnë numrin e preferencës.
Ashtu si me formularët e mëparshëm, edhe në këtë rast, kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të preferencave mbushen detyrimisht me shifrën 000.
Procedura
Me formularin A4 do të listohen edhe një herë të gjitha degët që pas mbylljes së regjistrimeve në dy fazat e para, të cilat kanë kuota bosh. Ky formular do të plotësohet vetëm nga kandidatët që nuk kanë fituar asnjë të drejtë studimi akademik për këtë vit.
Plotësimi edhe një herë i dhjetë preferencave (vetëm për degët që do të kenë kuota bosh) do të mundësojë një renditje të re fituesish, për të cilën gjatë muajit në vijim do të çelet një fazë e caktuar regjistrimesh.
Nëse kërkesa edhe në fazën e tretë të regjistrimeve vijon të jetë me të njëjtat ritme, shumë kandidatë që nuk kanë arritur të fitojnë asnjë prej shkollave të larta, do të kenë mundësi të ulen në auditorë.
Dokumentet e nevojshme për regjistrimin final janë dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse; dokument identifikimi (letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij.