E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili-Pizza: Intensifikim marrëdhëniesh në shëndetësi

TIRANE- Italia dhe Shqipëria do të intensifikojnë bashkëpunimin dypalësh në fushën e shëndetësisë. Kjo është theksuar në takimin e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, me zv.ministrin Italian të Arsimit, Giuseppe Pizza. Gjatë takimit, Pizza garantoi se Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimit Europian, për arritjen e të cilit duhet të forcohet dhe bashkëpunimi në shëndetësi. Zv.ministri Italian i Arsimit vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme dypalëshe në këtë sektor, duke shprehur njëkohësisht kënaqësinë për integrimin në aspekte të ndryshme të jetës të rreth 400 mijë shqiptarëve, që ndodhen në shtetin fqinj.

Në takim, ministri i Shëndetësisë u ndal dhe tek roli i Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë" në vend për përgatitjen e kuadrove të rinj, të kualifikuar, në sektorin e mjekësisë. "'Zoja e Këshillit të Mirë' është një shembull sesi duhet të plotësohen standardet. Ky universitet është një arsye më shumë që shqiptarët të mos shkojnë në Itali për të ndjekur studimet, pasi standardet tashmë i gjejmë këtu", theksoi Vasili.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia, përfaqësues të lartë të Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›