E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS harton alternativën përballë shumicës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje Kryesinë për të diskutuar ndryshimet kushtetuese të propozuara pak ditë më parë. Pas mbledhjes, anëtari i këtij forumi dhe njëherësh nënkryetari i grupit parlamentar, Arben Isaraj, bëri publik pikat në të cilat mund të punohet dhe çështjet mbi të cilat nuk pranohet negocim nga PS. "Partia Socialiste ka qenë e bindur dhe vazhdon të jetë e bindur, se reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, si dhe përfundimi i tyre do të pasohej me kërkesa për ndryshime në Kushtetutë", sqaroi Isaraj. Sipas tij, socialistët janë gati për të votuar dhe mirëpresin ato ndryshime kushtetuese që lidhen drejtpërsëdrejti me reformën zgjedhore dhe më konkretisht me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Për sa më sipër, Partia Socialiste bie dakord me amendamentet shtesë për projektligjin, të propozuar nga Partia Demokratike, me një rregullim teknik, që lidhet me përcaktimin e periudhës zgjedhore. Partia Socialiste, bie dakord me propozimet shtesë për amendamentet kushtetuese, që lidhen me zgjedhjen e Presidentit, nëpërmjet kësaj procedure: 2 raunde me 3/5, raundi i tretë me 70+1 dhe raundi i katërt në popull. "Sigurisht, ky do jetë një proces zgjedhor që do ta propozojmë dhe do të zgjasë një periudhë të caktuar ditore, rreth 90 ditë, e që do të ndodhë para mbarimit të mandatit të Presidentit", sqaroi Isaraj. Tjetër gjë për të cilën bihet dakord, në propozimet shtesë të mazhorancës për amendamentet kushtetuese, është mocioni i besimit dhe ai mosbesimit, që lidhet me Kryeministrin. "Ajo çfarë ne refuzojmë dhe nuk negociojmë me asnjë palë, është mandati i Presidentit, mbarimi i tij dhe marrja e kompetencave të Presidentit, kundërfirmimi i dekretit presidencial", nënvizoi Isaraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›