Tre shqiptarë vdesin në aksident në Itali
PERUXHIA
Tre emigrantë shqiptarë në Itali, humbën jetën në një aksident tragjik që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes.
Ngjarja ndodhi në provincën e Folignos të Peruxhias, teksa tre shqiptarët ktheheshin nga ferma ku punonin për në shtëpi. Makina me të cilët ata po udhëtonin përfundoi në gjirin e ngushtë pranë një lumi dhe të tre shqiptarët që ndodheshin në makinë humbën jetën. Vetëm mesditën e djeshme policia italiane mundi të identifikonte viktimat e aksidentit dhe sipas mediave të vendit fqinj, mësohet se ata janë Marjol Koni, 18 vjeç, Agustin Pjetri, 22 vjeç dhe Sadik Kurti, 44 vjeç. Sipas policisë, të tre shqiptarët ishin të punësuar prej disa muajsh në një fermë në Peruxhia. Mediat italiane përshkruanin se Marjol Koni dhe Agustin Pjetri kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa Sadik Kurti ka humbur jetën menjëherë sapo ka mbërritur në spital. Sipas policisë lokale, automjeti tip "Alfa 147" drejtohej nga adoleshenti Marjol Koni, në sediljen e parë ndodhej Agustin Pjetri, ndërsa Sadik Kuri ndodhej në sediljet e pasme të makinës. Policia është njoftuar për aksidentin nga disa shqiptarë të tjerë, miq të viktimave, të cilët ishin duke udhëtuar me një makinë tjetër përpara tyre. Ata janë merakosur për vonesën e miqve të tyre dhe kur janë kthyer kanë parë aksidentin që u kishte ndodhur e më pas i janë drejtuar policisë. Automjeti "Alfa" që drejtohej nga adoleshenti Koni, ka qenë duke udhëtuar përgjatë rrugës që ligj provincën e Folignos me provincën e Montefalkos ku jetonin tre emigrantët shqiptarë. Sipas policisë, makina ka dalë nga rruga vetëm disa metra para se të arrinte në Montefalko, duke përshkuar fillimisht një fushë e më pas ka përfunduar në lumë. Drejtuesi i mjetit dhe 22-vjeçari ishin bllokuar në kabinë, ndërsa 44-vjeçari Sadik Koni kishte përfunduar në lumë dhe ka gjetur vdekjen në spital. Kanë qenë forcat e zjarrfikëseve ata që kanë bërë të mundur nxjerrjen e makinës nga lumi, nëpërmjet një vinçi. Policia ka shpjeguar për mediat italiane se ngjarja nuk kishte dëshmitarë të drejtpërdrejtë, por deri tani po hetohet për shpejtësinë tej normave të lejuara që mund të ketë drejtuar makinën 18-vjeçari, apo edhe për ndonjë sëmundje të mundshme të tij. Deri tani është përjashtuar mundësia e rrëshqitjes së makinës, pasi moti ka qenë i thatë dhe pa lagështirë.