E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Shëndetësia shqiptare do të modernizohet

“Ministria e Shëndetësisë po ndërhyn në dy drejtime në sistemin shëndetësor për të ecur drejt modernizimit të tij me krijimin e një sistemi spitalor modern të parametrave bashkëkohorë dhe racionalizimit të shërbimeve, grupimit të tyre dhe evitimit në vazhdimësi të kostove të panevojshme të mbajtjes së strukturave të shpërndara, me infrastrukturë të dobët dhe cilësi të keqe shërbimesh", tha Vasili.

I pranishëm në prezantimin e master-planit për fazën e dytë të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ministri Vasili kërkoi që procesi të mos i mbetet spontanitetit për të shkuar drejt parametrave që na imponohen tashmë si një vend që aspiron të hyjë në BE.

Faza e dytë e projektit për QSUT-në përfshin projektimin, ndërtimin, blerjen e pajisjeve mjekësore, asistencën teknike dhe kostot administrative të dy kateve shtesë si dhe ndërtimin dhe pajisjen mjekësore të një godine të re me 6 kate, që do të lidhet me godinën e fazës së parë. Sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit është rreth 30.000 m2.

Në këtë objekt parashikohen shërbimet e reanimacionit të përgjithshëm dhe kirurgjikal, kirurgjia ditore, radioterapia, onkologjia, diagnostikimi, dializa (me rreth 270 shtretër) si dhe shërbimi për ambulatorët. Vlera e parashikuar e investimit është rreth 57 milion euro, por kosto e përgjithshme e projektit mund të rishikohet me asistencen e Bankës për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB), pasi aktualisht, shifrat tregojne vetëm vlerësime të përaferta. Në Masterplanin e zhvillimit të kësaj Qendre janë parashikuar 7 faza.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›