E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse shqiptarët iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut



Të lodhur apo më mirë të zhgënjyer nëpër dyert e gjykatave shqiptare çdo ditë e më tepër qytetarët shqiptarë shohin si të vetmin shans të fundit Gjykatën e Strasburgut. Edhe pse një eksperiencë e re për juristët tanë, shumë qytetarë që ngulmojnë për të vërtetën apo të drejtën që iu takon, po provojnë alternativën europiane për ta arritur atë. Dozat e optimizmit të tyre duket se ua ka dhënë çështja “Qufaj” që ishte e para që u depozitua në Strasburg dhe që i kushtoi shtetit 60 mijë euro. Mirëpo që nga ajo çështje, janë dhënë dhe shumë vendime të tjera duke pranuar pretendimet e qytetarëve shqiptare në dëm të qeverisë. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë procedurën e plotë që duhet të ndjekë gjithsecili prej nesh që kërkon të depozitojë një padi në këtë gjykatë. Informacion që ndoshta disa prej të interesuarve mund ta ketë marrë në sajë të një shumë të caktuar nga ndonjë jurist. Deri më sot shumë padi janë kthyer për shkak të formulimit të tyre.
Rregullat
Ashtu siç pretendohet për gjykim të drejtë Gjykata e Strasburgut ka rregullat e saj të cilat nuk duhet t’i respektojnë vetëm qytetarët shqiptarë por çdo qytetar i një shteti që ka nënshkruar Konventën Evropiane. Shifrat tregojnë se çdo ditë që kalon shqiptarët ndërgjegjësohen dhe më tepër për të provuar të drejtën edhe nëpërmjet një gjykate të huaj. Ndërsa nga ana tjetër kambanat bien për shtetin shqiptar ku gjatë këtyre viteve në jo pak raste i është dashur të zgjidhë qesen. Referuar sipas të dhënave që pasqyrohen në faqen e internetit të kësaj gjykate deri më tanë shqiptarët kanë depozituar më shumë se 200 padi. Midis tyre gjen padi civile po ashtu edhe penale. Jo pak vrasje të bujshme të ndodhura ndër vite tashmë e kanë nisur këtë procedurë. Megjithatë gjatë viteve të fundit numrin më të madh të këtyre çështjeve e zënë çështjet civile që kanë të bëjnë me pronën. Por ndërsa shifra e padive është për t’u marrë në konsideratë shteti shqiptar është njohur zyrtarisht vetëm me një pjesë prej tyre.
Ankesat
Çështje për të cilat kanë nisur të punohet nga përfaqësuesit e shtetit në mënyrë që të mbrojnë deri në fund vendimet e dhëna nga tri shkallët e gjyqësorit. Ankesat që do të depozitohen në këtë gjykatë duhet të jenë vetëm për ato të drejta që njeh konventa, dhe jo për çfarëdo të drejte, si p.sh. për pushimin nga puna të zyrtarëve të lartë, ose për masën e dënimit penal etj. Duhet ankuar brenda 6 muajve nga dita e vendimit të fundit të gjykatës shqiptare. Për disa çështje vendimi i fundit është ai i Gjykatës së Lartë, për disa të tjera, ai i Gjykatës Kushtetuese (kur ka të bëjë me procesin e rregullt ligjor. Po kështu të gjithë ata që janë të interesuar për çështjen e pronës duhet të kenë parasysh rregullin që përcakton se pranohet vetëm ato padi mbi të cilat prona është njohur në një mënyrë ose tjetër nga gjykatat shqiptare. Kjo "në një mënyrë ose tjetër" sipas specialistëve ka të bëjë jo thjesht me faktin se gjykata shqiptare e ka zgjidhur çështjen në favor të individit pronar (ndryshe ky individ nuk kishte pse të vinte në Strasburg), por me faktin se qytetari që mendon se ka të drejtë të jetë pronar duhet të ketë të paktën një "shpresë legjitime" për t'u bërë pronar. E thënë ndryshe kur gjykata shqiptare e kushtëzon këtë drejtë me disa kërkesa procedurale dhe në qoftë se gjyqi është humbur thjesht për shkaqe procedure, personi në thelb ka një shpresë legjitime për t'u bërë pronar. Por duhet të jetë e qartë se konventa nuk garanton të drejtën e personit për t'iu rikthyer prona sa kohë vetë shteti nuk ka nxjerrë ligjet për këtë dhe nuk ka vendosur ta bëjë një gjë të tillë. Po sipas juristëve Strasburgu, mund t'i kontrollojë zgjidhjet shqiptare vetëm kur mund të konstatojë se vetë ky sistem u njeh direkt ose indirekt qytetareve në mos një të drejtë të shprehur, të paktën një shpresë legjitime. Një shpresë legjitime do të thotë që rikthimi parashikohet me ligj, pavarësisht nga keqzbatimet e administratës, fakti që ky ligj shkelet nga gjykatat në atë sferë që krijon probleme për të drejtat e parashikuara nga konventa.

Qeveria “Berisha” vendos të lajë borxhet e Strasburgut
Qeveria “Berisha” vendos të lajë borxhet që u ka qytetarëve të saj për pronat. Ndëshkimet e Gjykatës së Strasburgut më në fund do të zbatohen nga qeveria jonë. Të parat që do të kompensohen janë dhjetë familje të cilat e kanë fituar betejën me shtetin në Strasburg. Vendimi më i fundit i qeverisë e detyron Ministrin e Financave dhe atë të Drejtësisë të ekzekutojnë këto vendime duke realizuar procesin e plotë të pagesës. Këto vendime rezultojnë të jenë dhënë prej kohësh nga Gjykata e Strasburgut, por, asnjë nga qeveritë nuk morri përsipër zbatimin e tyre. Kryesisht në Strasburg shqiptarët janë drejtuar për t’iu njohur e drejta e pronës. Kosto kjo që ende nuk dihet se sa do të rëndojë në qesen e qeverisë për shkak të mungesës së ligjit për prona. Edhe në vendimin e fundit të qeverisë, familjet përfituese janë ish- pronarë të cilët kanë kaluar të gjitha hallkat e gjyqësorit për të rifituar të drejtën e pronës. Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit, ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 24.3.2009, për çështjen nr.2141/03, “Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në vlerën 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) euro. Tatimi mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind të kësaj shume, do të paguhet nga shteti. Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave. Shuma 450 000(katërqind e pesëdhjetë mijë) euro bashkë me pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind, do të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, “Vrioni dhe të tjerë”. Kjo shumë të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së kësaj llogarie. Detyrimi financiar, i parashikuar më lart, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›