Vasili apel qytetarëve: Dhuroni gjak
Ndryshimi i sistemit të dhurimit të gjakut, nga ai tradicional me pagesë drejt dhurimit të gjakut vullnetar, përbën një nga sfidat e Ministrisë së Shëndetësisë. Siguria e gjakut është nga çështjet më të ndjeshme të shërbimit shëndetësor, pasi dhurimet nuk arrijnë të plotësojnë si dhe sa duhet kërkesat e spitaleve dhe nevojat e pacientëve. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, iu ka bërë apel të gjithë qytetarëve për të dhuruar gjak, pasi vetëm ai është i sigurt. Një nga premtimet e kreut të Shëndetësisë ka qenë se në vitin e ardhshëm, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Gjakut do të pajiset me mjetet më moderne për të rritur sigurinë e tij. Këto deklarata ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i ka bërë gjatë një vizite në një nga organizatat që merret me dhurimin e gjakut në vendin tonë. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, tha se situata është përmirësuar për shkak të rritjes së dhurimit familjar, por ajo sqaron se për të plotësuar të gjitha nevojat e pacientëve kërkohet të dhurohet tri herë më shumë. Aktualisht dhurojnë 7 vetë për një mijë banorë. “Që të arrijmë një normë të mjaftueshme duhet të kemi 20 dhurime për një mijë banorë. Edhe shoqatat bashkë me Kryqin e Kuq duhet të promovojnë dhurimin vullnetar të gjakut”, tha Qendro.