Harasani: Nuk do djeg mandatin
Aristir Lumezi
Sekretari për Programin në PS, Andis Harasani, tha dje se nuk do të lejojë që t’i digjet mandati i deputetit. Në një prononcim për mediat, Harasani mendon se bojkoti është një qëndrim personal i Edi Ramës, ndërsa ka shumë deputetë të tjerë që ende nuk po shprehin hapur qëndrimin e tyre. “Nuk do ta djeg mandatin, dhe i pari që s’do më kërkojë këtë gjë është Rama, pasi vetë ai s’po e djeg mandatin e Kryetarit të Bashkisë. Nuk besoj se do më kërkojë diçka që nuk po e bën vetë. Kandidatët e tjerë për deputetë të PS-së, që akoma s’kanë bërë betimin, s’duhet të djegin mandatin për trillet e kryetarit”, u shpreh Harasani. Duke analizuar çështjen e numrave, pas të cilave vlerësohen votimet në PS, Harasani thotë se numrat nuk kanë rëndësi, ndërsa i bën apel Ramës të mos mbështetet te kryetarët e partive që nuk janë në Parlament. “Në këtë fazë që është PS s’kanë rëndësi numrat, pasi shumica e anëtarëve të PS-së, që akoma s’kanë bërë betimin e deputetit, s’duhet të djegin mandatin e deputetit për trillet e disa kryetarëve të partive të tjera që nuk janë në Parlament. Shumë kandidatë për deputetë i thonë këto nëpër kafene dhe në takime kokë më kokë, por ende nuk i thonë këto qëndrime në asamble”, u shpreh Harasani. Deputeti socialist shpreh kundërshtitë e tij dhe në lidhje me bojkotin që PS po i bën zgjedhjeve të pjesshme vendore, duke u shprehur se kjo çon në dobësimin gradual të PS-së. “Mospjesëmarrja në zgjedhjet e tjera do e bëjë PS-në po aq të rëndësishme në skenën politike, sa partitë e kryetarëve që flasin nëpër mitingjet e PS-së. Shpresoj të mos jetë ogur i keq ky. Në mbledhjen e kryesisë, personalisht kërkova që PS të marrë pjesë në këto zgjedhje pasi është mundësia më e mirë, mundësia më e artë për PS-në, për të vërtetuar të gjitha ato akuza që ne i kemi ngritur kësaj qeverie, këtij koalicioni të brishtë”, u shpreh Harasani. sipas tij, një zgjatje e bojkotit dhe moshyrja në zgjedhje do të çojë në demotivimin e bazës socialiste. “Bojkoti i zgjedhjeve do të sjellë përçarje dhe humbje të bazës së votuesve. As që dua ta mendoj që PS nuk do marrë pjesë në zgjedhje. PS nuk është OJQ”, tha Harasani. I pyetur në lidhje me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj pozicionit të bojkotit të PS-së, Harasani tha se “besoj që do humbasim dhe atë pak përkrahje që na ka ngelur nga ndërkombëtarët. S’do jemi fare në fokus të tyre, pasi për sa kohë që nuk marrim pjesë në zgjedhje, s’di çfarë mbështetje mund të kërkojmë nga ata”. Qëndrimi i anëtarëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS, vjen pas thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve drejtuar kësaj partie, për t’i dhënë fund bojkotit, në mënyrë që të bëhen pjesë e reformave integruese dhe e debatit politik. Edhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, përfaqësuesit e kësaj Lëvizje, kërkuan heqjen dorë nga bojkoti i zgjedhjeve të pjesshme, pasi në këtë mënyrë PS do të tkurret në elektorat. “Besoj se PS po zhvillon një ndjenjë inferioriteti, duke iu thënë shqiptarëve dhe atyre që e votojnë, që për sa kohë që Sali Berisha është në pushtet, ne nuk vijmë dot në pushtet. Jemi të paaftë të mbrojmë votat tona, qoftë edhe në një regjim si ky që kemi”, u shpreh Blushi pas asamblesë.