E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI, Muhedini: Largohem për unitetin e partisë

 

Kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, ka deklaruar gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen nga çdo funksion në interes të ruajtjes së unitetit brenda radhëve të shoqatës dhe partisë së komunitetit çam. Deklarimi i tij është bërë dy ditë më parë në Durrës, në takimin e organizuar me mbështetës të PDI-së, të cilët janë përfshirë në një situatë konfuze pas përplasjes së Muhedinit me deputetin Shpëtim Idrizi. Për më shumë se 30 minuta, Muhedini ka synuar të bindë mbështetësit se konflikti mes PDI dhe PDU-së së Idrizit është shtytje që vjen nga jashtë me synimin e minimit të çështjes çame, pikërisht në kohën kur partia e tyre është bërë pjesë e aleancës me të djathtën në pushtet. “Nuk patëm fatin të gëzojmë as një ditë mandatin e deputetit tonë në Parlamentin shqiptar pasi deputeti Dashamir Tahiri iku nga PDI në një forcë tjetër politike”, - ka thënë kreu PDI-së Tahir Muhedini. Ai ka bërë të qartë se është i gatshëm të japë dorëheqjen me kushtin e vetëm që partia çame me siglën e PDI të mos ketë përçarje në të majtë e në të djathtë dhe se çamët të mos shpërndahen në parti të ndryshme. Muhedini ka ribërë të qartë se i qëndron marrëveshjes për bashkëqeverisjen me PD, për të fituar mandate në qeveri dhe poste të tjera si dhe PR e Fatmir Mediut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›