PS: Situata ekonomike po përkeqësohet
Partia Socialiste e Shqipërisë shprehu dje shqetësim për situatën e vështirë në të cilën është zhytur ekonomia e vendit. Deputeti socialist, Ilir Beqja tha se biznesi po asfiksohet ndërsa shifrat zyrtare tregojnë se mosrealizimet prekin të gjitha institucionet financiare të vendit. “Gjendja e rënduar e ekonomisë pasqyrohet edhe në realizimin e të hyrave fiskale të 9 mujorit të vitit 2009. Tashmë u bë e zakonshme që administrata tatimore dhe doganore nuk janë të afta mbledhin të ardhurat e programuara. Deficiti i krijuar nga mosmbledhja e të hyrave në buxhetin e shtetit për 9 muaj është 227 milionë dollarë, duke u përkeqësuar me 40 milionë dollarë vetëm në muajin shtator”, u shpreh Beqja. Sipas tij, edhe në fund të 9 mujorit, realizimi i planit të tatim fitimit është vetëm 84 %, dëshmi kjo e qartë për vështirësitë që kalojnë sipërmarrjet shqiptare. “Edhe në fund të 9 mujorit realizimi i planit të tatim mbi biznesin e vogël është vetëm 67 %, dëshmi kjo e qartë se biznesi i vogël është i asfiksuar. Javë pas jave raportohet se shumë sipërmarrje mbyllin aktivitetin apo shumë të tjera e pezullojnë përkohësisht pranë administratës tatimore”, tha Beqja.