Fibroskopia dy muaj e prishur,pacientët 8 mijë lekë te privati
Aparatura e fibrogastroskopisë në spitalin “Nënë Tereza“ ka më shumë se dy muaj që ka dalë jashtë funksionit. Dhjetëra të sëmurë i drejtohen klinikave private për kryerjen e ekzaminimit që përcakton diagnozën e kancerit të stomakut, apo probleme të tjera me këtë organ. Veç sorollatjes, u duhet të paguajnë plot 8 mijë lekë për të kryer analizën. Burime të sigurta nga pavijoni i gastrohepatologjisë ku trajtohen pacientët, bëjnë me dije se defekti nuk është riparuar, ndonëse është bërë kërkesa përkatëse. Ky problem është ngritur edhe në drejtorinë e spitalit dhe deri tani nuk është marrë asnjë masë. “Çdo ditë janë mbi 20 pacientë që duhet të bëjnë fibroskopinë, ajo është e nevojshme për të parë gjendjen e stomakut, por ajo ç’ka është më e rëndësishmja është ekzaminimi kryesor që përcakton diagnozën e kancerit të stomakut. Me anën të fibrogastroskopisë përcaktohet lokalizimi, forma, përmasat dhe shtrirja e tumorit në rast se ai ka prekur pacientin”, sqarojnë mjekët gastrohepatologë. Ndërkaq një pjesë e pacientëve ankohen se nuk kanë para për të kryer te privati këtë lloj analize të rëndësishme. “Unë akoma s’e kam bërë fibroskopinë, se më kanë thënë mjekët jo do rregullohet sot, jo nesër. Nuk kam 80 mijë lekë të paguaj te privati”, shprehet një prej të shtruarve në pavijon. Të tjerë pacientë hedhin aludime se mosfunksionimi i aparaturës bëhet me qëllim. “Këta më duket se i prishin vetë, që të na tregojnë klinikat private ku të bëjmë analizat. Unë kam ardhur tri herë dhe të tria herët s’e kam bërë dot këtu”, thotë një tjetër paciente. Mjekët nga ana e tyre nuk dinë të të japin asnjë përgjigje. ”Për këtë pjesë nuk përgjigjemi ne, kemi sinjalizuar drejtorinë dhe na është thënë se do rregullohet së shpejti. Këtë na kanë thënë, këtë u themi pacientëve”, thonë bluzat e bardha. z.ll