Borchardt: S’ka heqje vizash, pa plotësim kushtesh
Ambasadori gjerman Bernd Borchardt shprehet se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e vendosura nga BE-ja për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave. Në një intervistë për ATSH, diplomati gjerman u shpreh se “për sa i përket sigurisë së dokumenteve dhe kontrollit të kufijve, qeveria shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm, siç është dokumentuar në progres-raportin e vitit 2009 të Komisionit Evropian”. “Në fusha të tjera ka ende për të bërë. Progres-raporti gjithashtu ka shprehur qartë se, është veçanërisht i rëndësishëm progresi në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Duhet të intensifikohen përpjekjet për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe ndaluar krimin e organizuar, si dhe pastrimin e parave, ku Shqipëria ende vazhdon të jetë në një stad fillestar. Numri i lartë i rasteve të lëvizjeve të personelit të trajnuar dhe kompetent në radhët e policisë është shqetësues”, tha ambasadori. Ai shtoi se “ne po presim që në fillim të verës 2010, KE të informojë vendet anëtare në lidhje me progresin e arritur nga Shqipëria. Pas kësaj vendet anëtare, me vendim shumice, mund të vendosin në lidhje me një heqje të mundshme të regjimit të vizave, nëse Komisioni e propozon këtë, bazuar në progresin e arritur”.