E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët kurnacë, asnjë fond për njerëzit në nevojë

 

Kanë menduar se do gjejnë kontribuesit më të mëdhenj të këtij vendi, por janë ndjerë të zhgënjyer kur kanë konstatuar se deputetët e Kuvendit, pikërisht ato që janë në pushtet, edhe pse më të kamurit nga të gjithë zyrtarët e shtetit shqiptar, janë më kopracët. Një kuti prej xhami e vendosur sa ngjit shkallët e Kryesisë së Kuvendit të tërheq vëmendjen, pasi i fton deputetët e Kuvendit të kontribuojnë në të holla me qëllim e vetëm për t’i ardhur në ndihmë njerëzve dhe familjeve në nevojë që kanë të ardhura të pakta. Kjo iniciativë e Karitasit shqiptar duket se është injoruar nga të zgjedhurit e popullit, të cilët kanë harruar humanizmin dhe po tregohen më kurnacë se kurrë, duke mos e mbështetur një iniciativë të tillë. Po ti hedhësh sytë te kutia transparente do të zhgënjehesh menjëherë, skandalizohesh pasi aty brenda gjen me dhjetëra monedha 0.1 lekëshe që janë hedhur pa kursim nga ana e deputetëve, e ndërsa kartëmonedha janë të pakta. Janë pikërisht këto para që jepen në banka në momentin e tërheqjes së pagës mujore, por që nuk përdoren për asgjë tjetër. Gjithsej janë 4 mijë lekë kartëmonedha të hedhura në kuti. Në këtë kuti gjenden vetëm katër kartëmonedha me prerje 500 lekëshe, dy kartëmonedha me prerje 1 mijë lekëshe dhe një kartëmonedhë me prerje 2 mijë lekëshe. Këto janë vlerat maksimale të hedhura me “pikatore” nga deputetët, të cilëve rroga mujore u shkon prej 1.5 milionë lekë të vjetra. Ndërsa nuk mungojnë valutat e huaja, ku shuma maksimale është 1 dollarë amerikanë, pastaj hekurishtet prej 10, 20 dhe 50 centësh të monedhës së BE-së. Punonjësit e Kuvendit shprehen se kutia ka më shumë se një javë që është vendosur dhe se të paktë janë ato deputetë që kanë marrë guximin dhe kanë hedhur brenda kutisë transparente lekë të konsiderueshëm për t’u përdorur për familjet. Do të mjaftonte që vetëm në një ditë deputetët e Kuvendit të maxhorancës të mos merrnin pagesën e një dite pune në komisionet parlamentare. Kështu shuma prej 2 mijë lekësh për deputetët nuk do t’i kushtonte shumë atyre që ta hedhin në kutitë e ndihmës së proklamuar nga ana e Karitasit Por siç duket heqja e karburantit pa limit nga qeveria duket se i ka bërë më kopracë të zgjedhurit e popullit, nga të cilët presim që të miratojnë ligje me karakter social në Kuvend.                b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›