E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Do rrisim pagat dhe pensionet, ekonomia “OK”



Nertila Maho

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka rikonfirmuar edhe një herë dje qëndrimin "pro" rritjes së pagave dhe pensioneve nga ana e qeverisë. "Ne kemi një program të rritjes së pagave dhe pensioneve, që do të zbatohet në momentin e duhur. Kjo nuk është e re. E kemi deklaruar në buxhet dhe i qëndrojmë kësaj. Edhe FMN-ja u shpreh pozitivisht, duke konfirmuar se Qeveria ka të drejtë të materializojë qëllimin e saj për rritje të pagave dhe pensioneve", tha Bode. Deklarata e ministrit u bë dje gjatë një konference për shtyp, lidhur me performancën e ekonomisë për muajin mars. Duke ju referuar të ardhurave në arkën e shtetit, nga doganat dhe tatimet, ministri bëri me dije një tejkalim në realizimin e planit. Sipas Bodes, të dhënat flasin për një dinamikë tërësisht optimiste, që ngjall besim për zhvillime pozitive për vitin 2010. "Të ardhurat gjatë muajit mars janë tejkaluar në krahasim me programin fillestar të Qeverisë. Administrata doganore i ka tejkaluar me 2 për qind. Në shifra kjo përkthehet me mbi 200 mln lekë. Krahasuar me një vit më parë kemi një rritje 28 për qind më shumë të ardhura. Administrata doganore raporton për një rritje me 13 për qind të të ardhurave doganore gjatë muajit mars, ose 2.1 miliardë lekë më shumë", tha Bode. Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kaluar programin fillestar me 2 për qind, pra rreth 300 milionë lekë më shumë nga programi, por pjesa më e rëndësishme për ekonominë ka të bëjë me TVSH-në, e cila është rritur me 25 për qind gjatë marsit, krahasuar me marsin 2009. Ministri vuri në dukje se këto të ardhurat të një niveli të tillë mjaft pozitiv janë realizuar në një muaj, kur importi i karburanteve ka qenë me 10 mijë ton më pak karburante. Nga 37 mijë ton vitin e kaluar, në 278 mijë ton gjatë marsit. Kreu i Financave informoi gjithashtu se ka një rritje të qarkullimit të mallrave të tjera, që kanë lidhje me konsumatorin dhe bizneset. "Për sa u përket pajisjeve, konfirmohet një rritje prej 700 milionë lekësh, më shumë se një vit më parë. E njëjta gjë konfirmohet sa u përket eksporteve. Gjatë periudhës tremujore ka një rritje të volumit të eksporteve me 167 mijë ton, ose 74 për qind më shumë se e njëjta periudhë vitit të kaluar. Mallrat shqiptare gjatë tremujorit të parë të këtij viti kapin shifrën 28.800 ton, me një rritje prej 26 për qind krahasuar me një vit më parë", tha Bode. Sa i përket fasionit ministri dha detaje se nga 6700 ton gjatë marsit të 2009-ës, tashmë kanë arritur 21.000 ton, pra një rritje 3.1 herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›