E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aborti, me shumë përgjegjësi e seriozitet ndaj tij!

Tritan Shehu

Para disa ditësh u mbajt ne Tiranë konferenca kombëtare e demografisë dhe shëndetësisë. Që në fillim dua të them, se të tilla diskutime janë shumë frutdhënëse për ne, për të analizuar ecuri të deritanishme në këto fusha dhe për të nxjerrë konkluzione mbi bazë shifrash objektive.
Diskutimet demografiko- shëndetësore në tërësi janë diskutime të gjëra, të lidhura me elementë shkencore, ekonomike, politike, etike, organizative etj, të jetës së një vendi.
N.q.s do të shikojmë materialin e paraqitur aty mund të kuptosh qartësisht se sa shumë ka evoluar vendi ynë në këto vite post komuniste.
Të gjitha të dhënat flasin qartësisht për këtë zhvillim: qoftë ato të përbërjes familjare, ato të lindshmërisë, planifikimit familjar, vdekshmërisë foshnjore e fëminore, ushqyerjes së popullsisë etj.
Sidoqoftë, unë sot do të desha të shfrytëzoja këtë shkrim, i cili bazohet në të dhëna të kësaj konference, për të tërhequr vëmendjen për një fenomen shumë shqetësues, që ekziston te ne dhe që realisht kërkon një trajtim të gjerë e kompleks, e sidomos shumë më serioz e sensibilizues.
Konkretisht e kam fjalën për incidencën e lartë të aborteve, dhe mos disiplinimin e fortë të këtij fenomeni. Sot niveli i lindshmërisë në vendin tonë ka rënë nga 3,3 për grua në vitet ‘93-‘95 në 2-2.3 për periudhën 2006-2009. Të them të drejtën kjo tendencë është e kuptueshme. Ne nuk mund të jemi më një shoqëri e fortë pronataliste si në komunizëm, megjithëse mosha e re, që vazhdon të dominojë te ne, është një potencial i madh. Shpresoj që shifrat mbas disa vitesh mos të na çojnë drejt një shoqërie të “plakur”.
Por ajo që duhet të na shqetësojë thellë janë shifrat e aborteve dhe paqartësitë që lidhen me të. Këtu do të jap pak të dhëna, që e lidhin atë me lindshmërinë. Kështu niveli ka variuar në këto vite, nga 225.1 aborte për 1000 lindje me 1980; në 470 në 1993 dhe 270 me 2009. Dua të theksoj se këto shifra nuk janë të sakta. Niveli i raportimit mendohet të jetë nën 70% e realitetit. Veçanërisht kjo është e lidhur me abortet e realizuara tashmë në shumë klinika private, apo dhe më keq akoma ambulator.
Si thashë dhe në fillim, elementët që ndërthuren me abortin janë të shumtë: kulturale, etike, morale, ekonomike, politike, organizative si p.sh ato të planifikimit familjar etj. Në lidhje me këtë do të thosha pa hezitim se aborti ngel i lartë, kur nuk funksionon si duhet edhe planifikimi familjar. Aborti është e kundërta e planifikimit familjar, pa përmendur këtu principet etike, morale e organizative të shoqërisë. Një fertilitet në ulje, kur ka përdorim të ulët të metodave moderne kontraceptive, si ndodh sot në vendin tonë, shoqërohet me një numër të lartë të aborteve, si metoda më e përdorshme e kontrollit të shtatzënive të padëshiruara. Të dhëna statistikore nga studimet e bëra në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, vende që janë afër nesh në përdorimin e metodave kontraceptive moderne, tregojnë se mesatarisht 85% e shtatzënive të padëshiruara rezultojnë në aborte, duke treguar kështu se gratë janë shumë të motivuara të evitojnë në këtë mënyrë një lindje të paplanifikuar. Sidoqoftë ky është vetëm një mekanizëm, që duhet pasur mirë në konsideratë, pa harruar dhe shumë të tjerë.
Unë jam nga ata mjekë, qe kam parë të vdesin shumë gra gjatë komunizmit për shkak të aborteve kriminale, si quheshin atëherë. Unë nuk jam për t’u kthyer në atë epokë, ku aborti ishte i ndaluar vetëm për arsye politike. Shqipëria është një prej atyre vendeve ish-diktatoriale, ku marrëdhëniet midis njerëzve nuk kanë qenë të rregulluara përmes etikës, por përmes doktrinës, gjë që do të thotë se marrëdhëniet njerëzore ishin esencialisht politike, dhe shoqëria vetë ishte e tillë, pra dhe qëndrimi ndaj abortit ishte thjesht politik. Këto janë disa nga arsyet, që më shtynë mua të isha propozuesi për abrogimin e ligjit të vjetër për abortin deri më 12 javë, në vitin 1991. Kjo solli në ato vite në uljen në pothuaj zero të shifrave të mortalitetit amtar nga aborti te ne, shifra që ishin shumë shqetësuese në periudhat e mëparshme. Më tej, në 1995, u aprovua një ligj i ri për “Ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë”.
Ky ligj parashikon një liberalizim të rregulluar, gjithmonë deri në 12 javë, më shumë etapa e kushte, përpara se të arrihet tek akti i abortit. Po të respektoheshin e të kombinoheshin me rigorozitet këto, e lidhur kjo me një politikë edukative e planifikimi familjar më të organizuar, me një disiplinim e kontroll të fortë, veçanërisht duke zhdukur apo minimizuar rolin e privatit në realizimin e kësaj procedure, ne nuk do të kishim sot këto shifra. Por kjo, sado e rëndësishme që të jetë, është vetëm njëra anë e problemit. Ka ardhur koha që gjërat të shihen nën një optikë tjetër, shumë më të gjerë e komplekse, sepse të tilla janë dhe ndryshimet te ne në këto vite. Ky problem, i cili fatkeqësisht deri tashmë duket që po trajtohet me shumë mendjelehtësi nga shoqëria, duhet të na shqetësojë thellësisht, jo vetëm në planet e mësipërme por dhe në ato etike, morale e ligjore.
Përderisa marrëdhëniet njerëzore në komunizëm ishin esencialisht politike, me shthurjen e sistemit politik të vjetër, tentojnë të shthuren dhe ato. Këtë nuk duhet ta harrojmë. Tanimë njerëzit kanë dalë nga diktatura, por akoma nuk kanë arritur thellësisht të krijojnë ato vlera etike, të domosdoshme për një shoqëri të zhvilluar, gjë e cila fuqishëm influencon dhe në këtë fenomen, i cili nuk mund të përballohet duke u konsideruar vetëm si organizativ.
Pra këtu kemi të bëjmë me një çështje ku ndërthuren shumë faktorë, tejet të larmishëm të shoqërisë sonë. Kjo është një çështje mbi të cilën ne duhet të reflektojmë e punojmë në shumë plane. Në të vërtetë është një çështje shumë komplekse, siç është dhe jeta vetë, që kërkon sensibilizimin e tërë shoqërisë sonë dhe të të gjithë mekanizmave të saj, shtetëror, shoqëror, moral, edukative, organizative, qoftë dhe duke përmirësuar kuadrin ligjor. Pavarësisht nga kjo, do të thosha me bindje, se shoqëria jonë tashmë ka ardhur në ato stade zhvillimi, që me përgjegjësi të thellë mund të mendojë e veprojë për përballimin e këtij fenomeni, tejet negativ për një ambient të civilizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›