E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata dyshues: Nuk shfaqën përmirësime

Rudi Vata, ish-kapiteni i Shqipërisë, i cili e ka ndjekur nga afër ndeshjen e Kombëtares, e cila humbi 1-0 me Poloninë, ka shprehur rezervat e tij në lidhje me formën dhe paraqitjen e ekipit. 

Jetmir Halilaj

“Për të qenë i sinqertë, nuk është se pashë ndonjë ndryshim të madh, nga ndeshjet e kaluara. Luajtëm me të njëjtin ritëm dhe u shfaqën sërish të njëjtat probleme – ka thënë Vata për “Panorama” – Megjithatë është herët për të dalë në konkluzione të sakta, pasi kjo ishte ndeshja e parë e trajnerit Han në krye të përfaqësueses dhe ky mund të quhet thjesht prezantim”. Ish-mesfushori i kuqezinjve, është i mendimit se trajnerit Ari Han do t’i duhet shumë punë që të bëjë ndryshime rrënjësore, të cilat mund të rezultojnë të vlefshme në të ardhmen e përfaqësueses shqiptare. “Ari hanit i duhet shumë punë që të mbërrijë aty ku dëshiron, pra të krijojë një ekip solid dhe me mentalitet fituesi. Duhet pranuar se problem është fakti që Ari Han nuk ka mundur që të provojë skuadrën më parë, por gjithsesi ka ende mundësi që ai ta rikuperojë kohën e humbur – ka thënë Vata – Unë vura re se skuadra vuajti jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm, probleme tipike, prej të cilave përfaqësuesja jonë ka vuajtur vazhdimisht. Një nga vuajtjet e skuadrës kuqezi është mungesa e golit. Hasim shumë vështirësi në këtë pikë dhe në futbollin modern, skuadra që nuk arrin të shënojë, në pjesën dërrmuese të rasteve del gjithnjë e humbur. Në këtë pikëpamje mendoj se trajneri Han ka vërtet shumë punë për të bërë, pasi me aq sa pashë në ndeshje, nuk vura re ndonjë ndryshim të dukshëm”.
Të rinjtë
Ashtu si Tare, edhe Vata ka vlerësuar paraqitjen e disa të rinjve që u aktivizuan kundër Polonisë duke thënë se ky është një plus i madh për skuadrën përfaqësuese. “Mendoj se Ari Han ka një grup lojtarësh të mirë në dispozicion, të cilët nëse do të arrijë t’iu marrë maksimumin, atëherë mund të bëjë diçka – ka thënë Vata – Më pëlqen lojtarët e rinj që u aktivizuan në këtë ndeshje, pasi dhanë sinjale të mira për të ardhmen. Mendoj se Hyka tregoi se është një lojtar shumë premtues, Salihi gjithashtu shfaqi personalitet në fushën e lojës, ndërsa Dallku mbetet një garanci për të ardhmen, pasi tregoi edhe njëherë se di të japë më të mirën e tij edhe në pozicionin e tij jo natyral”. Prej disa vitesh Rudi Vata kryen rolin e menaxherit të futbollistëve dhe ka qenë mjaft i suksesshëm, pasi ka bërë të mundur transferime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›