E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani jep OK e tij për Shqipërinë në BE

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha dhe zonja e tij Liri Berisha u pritën paraditen e djeshme në një audiencë të posaçme në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Benedikti XVI. Burimet nga Kryeministria pohojnë se pas takimit me Papa Benediktin, kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë “një ditë të paharruar pasi kjo ditë koincidon me 12 dhjetorin e vitit 1466, vit kur Papa Pali i Dytë priti në audiencë Gjergj Kastriot Skënderbeun. Nga të njëjtat burime mësohet se Kryeministri i shprehu Papa Benediktit të 16-të, mirënjohjen e thellë të tij, qeverisë shqiptare dhe mbarë kombit shqiptar për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë në Shqipëri, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të saj, që nga fillimet e demokracisë dhe deri më sot. Më tej ai ka marrë mbështetjen e Vatikanit në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. “Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit”, - ka pohuar Papa.

Takimi

“Kryeministri Berisha u prit në një audiencë të veçantë nga Shenjtëria e Tij, Papa Bendikti XVI, në Vatikan, së bashku me zonjën e tij, Liri Berisha, dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas ceremonialit të rojeve zvicerane, kryeministri Berisha zhvilloi një takim të zgjatur kokë më kokë, me Papa Bendikti XVI, takim i cili kaloi në një atmosferë mjaft të përzemërt. Më pas, Shenjtëria e Tij, takoi edhe zonjën Berisha, si dhe delegacionin që shoqëronte kryeministrin Berisha”, - kështu informojnë burimet zyrtare nga Kryeministria. Në takim, Berisha i ka shprehur mirënjohjen e thellë Papës, për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë shqiptare, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, që në fillimet e demokracisë e deri më sot. Gjithashtu, Berisha i dorëzoi Papa Benediktit XVI ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, vit që përkon me 100-vjetorin e lindjes të shqiptares së madhe Nënë Tereza. Kreu i Qeverisë shqiptare e ka konsideruar si të shkëlqyer këtë takim dhe një rast të veçantë për të. Ai ka theksuar se kombi shqiptar dhe Vatikani kanë një histori të gjatë bashkëpunimi aleance, rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. “Por unë gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të vitit 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të viti 1992”, - tha ai. Por, ka shtuar Berisha, në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. “Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, nxjerrja e tij nga kthetrat e Milosheviçit me anë të të dërguarve të tij direktë në Beograd me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë”, - tha ai. Por një tjetër arsye që e bëri takimin mes tyre të veçantë ishte fakti se ai ishte plot 543 vjet pas takimit të Skënderbeut me Papa Palin II. “Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan, nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të Perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, sesa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›