E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikani, marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë

Shkëmbim mjekësh

Duke nisur nga ky vit, sipas marrëveshjes me spitalin e Vatikanit, mjekët shqiptarë do të kenë mundësi të përfitojnë nga kolegët me më shumë përvojë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vijon vizitën e tij zyrtare në Itali. Dje, delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vizituar spitalin e pediatrisë “Bambino Gesu”, spitali i Vatikanit. Ministria e Shëndetësisë dhe pala italiane prej disa vitesh kanë nënshkruar një marrëveshje, lidhur me trajtimin e fëmijëve shqiptarë me sëmundje të vështira.

Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar ka diskutuar jo vetëm për numrin e fëmijëve që mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje, por edhe për shkëmbimin e personelit shëndetësor lidhur me trajnimin dhe formimin e tyre në disa fusha të rëndësishme të pediatrisë. Nga të dyja palët u ra dakord për të shkëmbyer ekipe mjekësh dhe infermierësh. Më pas ministri Vasili vizitoi një pavijon fëmijësh shqiptarë që po trajtohen pranë qendrës “Bambino Gesu”. Sakaq, delegacioni ka zhvilluar një vizitë në institutin “Mendel”, institut studimor kërkimor në fushën gjenetike dhe të qelizave staminale. Kjo strukturë, është pjesë e “Casa di Cura e Sollievo Della Sofferenza”, themeluar nga Padre Pio.
Po ashtu delegacioni shqiptar u prit në selinë e shenjtë në Vatikan nga Monsinjor Dominique Mamberti, ministri i Jashtëm i Selisë së Shenjtë. Ministri Vasili ka falënderuar Monsinjor Dominique Mamberti, për mikpritjen dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve shëndetësore të Vatikanit për të mbështetur Shqipërinë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›