Prezantohet projekti për shtrirjen e bulevardit në Paskuqan. Berisha: Rama nuk kishte vizion për Tiranën
Kryeministri është mësuar të shohë shumë prezantime gjatë këtij mandati, si ai për parlamentin apo stadiumin e ri. Megjithatë në fund është mjaftuar duke soditur… makete
Bashkia e Tiranës prezantoi sot në Ditën e Gruas projektet e përzgjedhura për të garuar për projektin e zgjatimit të Bulevardit nga Stacioni i Trenit drejt Paskuqanit. Në këtë prezantim ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi se Rama nuk kishte vizion për Tiranën.
Paraardhësi ishte një piktor i dështuar, jo për faktin se nuk i shiteshin veprat por nuk kuptonte se njerëzit nuk kanë vetëm nevojë të shohin por edhe të ecin, kjo është urbanistika dhe ky është dimensioni që qyteti pret. Le ta konsiderojmë këtë një fillim premtues për Tiranën metropol evropian, tha Berisha.
Berisha tha se pozicioni i Tiranës është i rrallë për në rajon e në botë. Ata të cilët studiojnë pozicionin e këtij qyteti do të gjejnë një nga pozicionet më të rralla, më unike që mund tju kapë syri, jo në rajon por dhe në kontinent dhe më gjerë. E vendosur rrëzë malesh të veshura deri në majën e tyre me drurë, e rrethuar nga kodra dhe vetëm pak km nga deti, ky kryeqytet nxjerr në pah të gjithë madhështinë e veprave të ndërtuara në të. Këto që trashëgojme ne sot, me të cilat edhe mburremi i përkasin kohërave të themelimit të Tiranës. Më vonë ra në një fatkeqësi. Tani Tirana pret këtë fillim, u shpreh Berisha.