"Vatra” në shërbim të gjithë kombit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e ka pritur të hënën në një takim kryetarin e Shoqatës “Vatra” nga Amerika, Gjon Buqaj dhe kryeredaktorin e gazetës “Dielli”(organ i Shoqatës “Vatra”), Dalip Greca.
Kryeparlamentari Krasniqi e falënderoi bashkatdhetarët për vizitën dhe vlerësoi lart punën e madhe 100 vjeçare të Shoqatës “Vatra”.
“Shoqata “Vatra” s’ka qenë në shërbim vetëm të komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë, por në shërbim të gjithë kombit”, tha kryeparlamentari Krasniqi.
Kurse kryetari i Shoqatës “Vatra”, Gjon Buqaj e falënderoi kryetarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë që i bëri dhe e njoftoi atë për angazhimet që bën shoqata në të mirë të komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë.
Me këtë rast, Buqaj në veçanti foli për përgatitjet që po bën Shoqata “Vatra” për kremtimin e 100 vjetorit të saj.
Po ashtu, Buqaj shprehu dëshirën e tij që me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, tek ne, të organizohet kremte edhe për 100 vjetorin e themelimit të Shoqatës “Vatra”.
Ndër të tjera, Buqaj tha se Shoqata “Vatra” me aktivitetet e saj mbështet integrimet ndërshqiptare dhe shprehu kënaqësinë që ka parë shumë ndryshime dhe të arritura në Kosovë.