Tifozët e Futboll Klub Partizani: Letër e hapur, drejtuar ministrit të METE, Nasip Naço
I nderuar zoti Naço!
Ka disa javë që dosja për privatizimin e klubit të futbollit Partizani gjendet në institucionin tuaj, përcjellë aty nga Ministria e Mbrojtjes, që së pari ,duam ta falenderojmë publikisht për këtë gjë, e sidomos kreun e kësaj ministrie zotin Arben Imami.
Emri i Partizanit është një emër i shenjtë për ne tifozët, sepse ndër vite ka qenë lider i futbollit shqiptar. Është klubi që veç trofeve të shumtë kombëtarë, ka në panteonin e arritjeve të tij edhe 1 Kupë Ballkanikë, diçka që asnjë klub tjetër shqiptar nuk e ka. Vitet e fundit, Partizani u përball me vështirësi të panumërta, por fal dashurisë së tifozëve të shumtë, prej jugut në veri, madje me bindje mund të themi , klubi më i dashur në Skraparin tuaj,Partizani arriti të mbijetonte. Falënderim për këtë gjë, veç M.M, të cilën cituam, i japim edhe Federatës Shqiptare të Futbollit, me në krye zotin Duka.
Zoti Ministër! Shoqata jonë, kërkon prej Jush, që me autoritetin që ju jep posti dhe ligji, të përshpejtoni procedurat e privatizimit të Partizanit. Dosja tashmë ka kohë që është në ministrinë tuaj, por siç duket disa dashakeqës, apo burokratë aty, po e vonojnë këtë proces. Çdo vonesë për privatizimin e shpejtë të klubit Partizani, veç kostos politike personale ndaj jush, ka edhe koston e mosarritjes në kohë të përmbushjes së kërkesave për licencim nga FSHF. Kemi shpresë, se falë potencialit tuaj intelektual dhe drejtues, në krye të Ministrisë së Ekonomisë, do të bëni të mundur ndëshkimin e çdo burokrati në Ministrinë tuaj, që me qëllim, apo nga paaftësia, po vonon daljen në ankand të klubit. Çdo vonesë burokratike, e disa të paaftëve, apo dashakeqëve, në Ministrinë që Ju drejtoni, do na detyrojë të zgjedhim rrugën e protestave, përpara institucionit tuaj
Kemi bindjen e plotë, se Ju personalisht, do ti jepni zgjidhjen e shpejtë ngërçit të krijuar.
Me respekt!
Shoqata Tifozët e Futboll Klub Partizani