E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robin Van Persi vizitë sekrete në Torino

Mediat italiane kanë zbuluar dje se sulmuesi i Arsenalit ka bërë një vizitë sekrete në Torino pa dy ditësh. Ndonëse mendohej se futbollisti holandez u kishte thënë përfundimisht jo italianëve, ai ka bërë të kundërtën duke u shfaqur në Torino për të folur me kampionët e Italisë. Sipas mediave italiane Van Persi ka marrë avionin e tij personal dhe ka zbritur në Torino të premten pasdite. Ai ka pasur me vetë në këtë udhëtim edhe bashkëshorten e tij dhe Juventusi u ka vënë në dispozicion një makinë, ku Van Persi së bashku më bashkëshorten e tij kanë bërë një xhiro turistike nëpër qytet për të zgjedhur lagjen ku do të jetojnë nëse transferohen në Torino. Më pas Van Persi ka vizituar edhe ambientet sportive të Juves, si edhe stadiumin, nga ka dalë i mahnitur.
Tratativat
Bardhezinjtë kanë bërë të qartë se i ofrojnë atij 6 milionë euro në vit, përkundrejt 8 milionë eurove që kërkon futbollisti i Arsenalit. Por klubi nuk dëshiron të prishë ekuilibra brenda skuadrës, pasi 6 milionë euro është tavani i rrogave që kanë vendosur në klub dhe nuk bëjnë përjashtime as në këtë rast.
Numri 10
Për të bindur lojtarin, ata po përdorin taktika të tjera, duke filluar nga garancia se ai do të trashëgojë fanellën me numrin 10, që deri një javë më parë i përkiste legjendës Del Piero. Për më tepër, ata i kanë treguar sulmuesit holandez se ai d të ishte vetëm përforcimi i parë i skuadrës që synon të kthehet e madhe edhe në arenën ndërkombëtare, me objektiv triumfin në Ligën e Kampioneve. Tani mbetet për të parë se cilat janë hapat e ardhshëm të dy palëve, ndërsa për momentin bardhezinjtë kanë mbajtur hapur çdo opsion tjetër, përfshirë Kavani, Higuain dhe Suarez, të cilët ashtu si Van Persi pritet të flasin drejtpërdrejt me drejtuesit e klubit torinez.

Del Piero: Në Itali, luaj vetëm me Juventus
Një lamtumirë e zbutur, për ta bërë sa më të lehtë largimin nga tifozët e tij më të dashur, me të cilët bashkëjetoi për 19 vjet. Pas “standing ovation” që zgjati më shumë se 16 minuta në ndeshjen kundër Atalantës, që ishte dhe e fundit si titullar, për Del Pieron ka ardhur koha e bilancit. Një gjë është e sigurt për “Pinturichion” që nuk do luajë me asnjë fanelë tjetër në Itali, përveç asaj të Juventusit. “Në ditët e ardhshme do të bëj një analizë të të gjitha mundësinë që kam, dhe fatmirësisht këtë do ta bëj në diell dhe me pushime. Me siguri do të luaj sezonin tjetër jashtë Italisë. Situata ime është e ndryshme nga ajo e Drogba. Ai ka ndryshuar skuadër disa herë” tha Del Piero. “Nuk po mendoj një skuadër që të jetë në Champions ose një kampionat në veçanti që kam synim. Do të zgjedh situatën ideale, dhe familja ime do të më ndjekë. Falenderoj ekipet italiane, por e ardhmja këtu, nuk mund të jetë me një fanelë tjetër”, tha Del Piero

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›