Cana: Shqipëria ime ka nevojë për fitore
Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, e ka konsideruar si tepër të rëndësishme ndeshjen kundër Iranit që do zhvillohet nesër në orën 18:00 në Stamboll. Ai ka shpjeguar se Shqipëria po përpiqet të nisë një cikël të ri me Kombëtaren, pasi skuadra ka pësuar ndryshime të rëndësishme në përbërje dhe është i rëndësishëm çdo rezultat pozitiv edhe në miqësore. Mendoj se fitorja ndaj Katarit, e para në periudhën de Biazi, është e rëndësishme për gjithë skuadrën. Shqipëria po përgatitet që të ndërtojë një ekip sa më solid për eliminatoret e Botërorit dhe nuk ka dyshim se, për ta bërë sa më mirë këtë, duhet që të punojmë sa më shumë bashkë dhe të përshtatemi. Për këtë arsye them se edhe miqësoret janë shumë të rëndësishme jo vetëm në aspektin atletik, por edhe psikologjik, – ka thënë Cana në konferencën për shtyp.
Vazot
Shqipëria ndodhet në vazon e katërt në renditjen evropiane dhe, sipas Canës, duhet kujdes dhe punë që të mund të synohet për më lart. Grupi ku jemi ne në eliminatoret e Botërorit është shumë i balancuar dhe kemi mundësi reale për të fituar ndaj gjithkujt, ashtu sikur edhe mund të lëmë pikë ndaj çdo skuadre. Aktualisht ndodhemi në vazon e katërt por, nëse synojmë që të qëndrojmë aty ose të pretendojmë për më lart, duhet që të grumbullojmë sa më shumë pikë edicionin tjetër. Për të grumbulluar pikë duhet të synojmë sa më shumë fitore, madje fitore të mëdha. E përsëris, grupi është shumë i niveluar dhe kemi shanse të mira, po aq sa edhe rivalët tanë, – ka deklaruar Cana në konferencën e djeshme për shtyp.
Irani
Kuqezinjtë do të ndeshen nesër në mbrëmje kundër Iranit. Ndeshja miqësore është programuar që të luhet në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll. Më vjen mirë që do të luhet në një stadium si ai i Beshkitashit, sepse është vërtet shumë i bukur. Mendoj se do të ketë edhe një prani tifozësh shqiptarë të konsiderueshëm. Megjithatë, dua të theksoj se kjo ndeshje mbetet e rëndësishme dhe e ndryshme nga ajo me Katarin. Është e rëndësishme, sepse po shkojmë atje për të marrë rezultat. Shqipëria duhet të mësohet që ti luftojë të gjitha ndeshjet për fitore. Por, është e ndryshme nga miqësorja e mëparshme, sepse këtë herë kemi të bëjmë me një skuadër më të fortë. Irani të imponon respekt dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, e theksoj, ne shkojmë për fitore, – ka deklaruar mesfushori kuqezi.
Çani e Mavraj
Lorik Cana ka dashur të inkurajojë edhe disa nga të rinjtë e përfaqësueses, me të cilët luajti për herë të parë në ndeshjen kundër Katarit. Gjykoj se afrimi i Çanit dhe i Mavrajt do ti shërbejë Kombëtares jo vetëm për tani, por edhe për të ardhmen. Janë dy të rinj që kanë potencial. Mavraj bëri një paraqitje të mirë, por koha do të tregojë në të ardhmen se deri ku mund të shkojmë ne të gjithë si skuadër dhe se çfarë mund të bëjmë. Kjo vlen për të gjithë, përfshi këtu edhe të rinjtë, – ka përfunduar mesfushori.
Formacioni i mundshëm
Shqipëria (4-4-2):
. E.Berisha
. Lila
. Cana
. Mavraj
. Veliu
. Bulku
. Lilaj
. Vila
. Bakaj
. Bogdani
. Çani
Trajner: Xhani de Biazi
Bastet, Shqipëria jo favorite
Bastet nuk e kuotojnë Shqipërinë favorite në ndeshjen miqësore me Iranin. Kështu, një fitore e kuqezinjve në ndeshjen e 27 majit kuotohet 2.8, ndërkohë që fitorja e përfaqësueses iraniane kuotohet me koeficient 2.3. Për barazimin, koeficienti është 3.1. Ndryshe nga miqësorja me Katarin, të dielën të besuarit e Xhani de Biazit sipas bastexhinjve nuk do ta nisin ndeshjen si favoritë.
LEONRAD KARAJ