E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë DESHMITE për mjeken e dëbuar nga Berisha: Është me pasoja kjo çështje

berisha-margarita-328x2912-300x2661Gazeta Dita ka vazhduar të ndjekë historinë e mjekes Margarita Kostaqi, një mjeke e zonja, që u dëbua nga Tirana pasi iu bë një mbledhje e organizatës së partisë, ku mjeku Sali Berisha ishte më i zëshmi në kritikat ndaj saj.

Margarita ka vdekur dy vjet më parë, por historia e saj vazhdon të jetë e mbuluar me mister.

I shoqi i saj, Milto Kristaqi ishte mjeku personal i Mehmet Shehut dhe pas vetëvrasjes së tij nisën një seri kritikash, ku u përfshi edhe e shoqja.

Kolegët e Berishës dhe të Margaritës nuk preferojnë të flasin për këtë histori, ndërkohë që dokumentet e asaj kohë, siç e pranonte edhe vetë Margarita, janë zhdukur.

I pyetur se përse në atë mbledhje, që nisi për Milton, u morën edhe me Margaritën, një mjek thotë: Po si të them, ndoshta u grumbulluan të gjitha.

Mjeku B.S thotë se historia e Margaritës është me pasoja.

Ajo është përjashtuar nga partia në 82-shin. I keni hyrë një valleje që do të thyeni qafën, thotë ai.

Mjeku M.J, edhe pse ishte anëtar i organizatës së partisë, nuk sqaron se çfarë akuzash u ngritën ndaj Margaritës.

Nuk e di, nuk kam qenë në asnjë prej këtyre mbledhjeve. Thjesht kjo ngjarje bëri bujë se Margarita ishte mjeke shumë e mirë. Por ju kot e keni nisur këtë histori, sepse nuk do të nxirrni gjë në shesh, sepse pothuajse është e pamundur të nxjerrësh gjë nga kjo histori. Dokumente nuk ekzistojnë, ata që e dinë mirë këtë punë nuk flasin. Kështu që them më mirë ta lësh fare, për të mirën tënde them, i drejtohet ai gazetares.

I pyetur se përse të gjithë mjekët e pyetur kanë frikë të flasin, M.J thotë: Nuk di çtë them, por unë për veten time janë në një moshë që nuk e mbaj dot drurin moj vajzë. Le që ti nuk do nxjerrësh gjë nga kjo histori sado që të këmbëngulësh.

Kurse ish- drejtori i spitalit, R.K thotë se i ka miq të dy palët dhe nuk do të plekset në këtë histori.

Gj.C, mjek i Byrosë, i pyetur për këtë çështje, thotë: Po ju pse më pyesni mua, pyesni Saliun për këtë punë. Ai e di./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›