E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë garën në Europa League

Flamurtari dhe Vllaznia janë kualifikuar në rrethin e dytë të kualifikimeve për Europa League, edhe pse nuk arritën të shënojnë fitore para tifozëve të tyre ndaj Buduçnostit, përkatësisht Birkirkarasit. Ndërsa, skuadra shqiptare nga Maqedonia, Renova nuk ia doli ta kaloj ekipin irlandez, Glentoran. Nga Express më 07 korrik 2011 në ora 23:35

Flamurtari i Vlorës është kualifikuar në rrethin e dytë të garave në Europa League. Në fakt, kuqezinjtë janë mposhtur në shtëpi të enjten në ndeshjen e dytë nga skuadra e Podgoricës, Buduçnosti, me rezultat 1:2.

Mirëpo, kjo fitore nuk u mjaftoi malazezëve për ta eliminuar ekipin shqiptar, nga i cili ishin mposhtur në ndeshjen e parë në Podgoricë me rezultat 1:3. Në pjesën e parë të ndeshjes së kthimit shqiptarët luajtën më mirë. Ata kaluan në epërsi prej 1:0 në minutën e 20-të me golin që e shënoi Ardit Shehaj.

Kurse, pjesa e dytë u takoi mysafirëve nga shteti fqinj, të cilët ia dolën ta fitojnë ndeshjen fal dy golave që i realizoi Boskovic - njërën në minutën e 72-të e tjetrën në minutën e 77-të nga penaltia. Kështu, kryeqytetasit malazezë u përshëndetën me fitore nga garat evropiane. Ekipi çek, Jablonec do të jetë sfida e radhës e Flamurtarit.

Ndërkohë, edhe skuadra tjetër shqiptare, Vllaznia është kualifikuar në rrethin e dytë të garave në Europa League. Shkodranëve u mjaftoi një barazim 1:1 në shtëpi ndaj ekipit nga Malta, Birkirkaras, për të ecur përpara. Kjo pasi shqiptarët e patën mposhtur këtë skuadër në takimin e parë në Maltë me rezultat minimal, 0:1.

Në takimin e dytë, shkodranët kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 me golin që e shënoi në minutën e 4-t Vajushi. Por, mysafirët u kundërpërgjigjën në minutën e 17-të nëpërmjet Silvas, duke i barazuar shifrat në 1:1. Kualifikimin e mëtutjeshëm Vllaznia do ta kërkojë përballë ekipi zviceran Thun.

Kurse, koha e rregullt e ndeshjes mes Glentoran dhe skuadrës tjetër shqiptare nga Maqedonia, Renovës, ka përfunduar me rezultat 2:1 për irlandezët, njëjtë siç kishin fituar shqiptarët në takimin e parë në Maqedonia.

Andaj, u zhvilluan edhe 30 minuta lojë shtesë, por ekipet nuk ia dolën të shënojnë. Ndërsa, nga penaltitë më të saktë u treguan irlandezët (3:2), të cilët e eliminuan Renovën e Bylbyl Sokolit, për tu kualifikuar në rrethin e dytë të garave në Europa League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›