E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji antiduhan, paketat me paralajmërime të forta

Paketat e duhanit tani do të blihen me shenja të forta paralajmëruese për shëndetin, të vendosura në pjesët më të dukshme të paketës. Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit ka vendosur formën dhe tekstin e paralajmërimeve të detyrueshme shëndetësore në produktet e duhanit. Sipas vendimit të marrë, mesazhet duhet të jenë të shkruara qartë, dukshëm dhe në gjuhën shqipe. Komiteti ka vendosur që këto mesazhe duhet të zënë 50 për qind të faqes kryesore të shfaqur dhe 50 për qind të faqes tjetër më të dukshme pas faqes kryesore të shfaqur të paketës apo paketimit të produktit të duhanit. Çdo paketë do të përmbajnë dy lloje paralajmërimesh të përgjithshme për dëmet në shëndet të duhanit.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që paralajmërime të përgjithshme të jenë “Pirja e duhanit vret/Pirja e duhanit mund të vrasë” apo “Pirja e duhanit ju dëmton ju dhe të tjerët rreth jush”. Në rastin e paketimeve njësi të përdorura për produktet e duhanit, që nuk janë cigaret si në rastin kur duhani është për përtypje apo për nuhatje dhe kur sipërfaqja më e dukshme e së cilës tejkalon 75 për qind, paralajmërimet e përgjithshme do të mbulojnë 37.5 për qind të secilës faqe. Por ka edhe një listë të paralajmërimeve shtesë si: ”Duhanpirësit vdesin më të rinj”; ”Duhanpirja bllokon arteriet dhe shkakton infarkt të zemrës ose hemorragji cerebrale; ”Duhanpirja shkakton kancer në mushkëri” etj. Për këtë, Komiteti parashikon që shtesa të jetë e shtypur në faqen tjetër më të dukshme pas faqes kryesore të paketës njësi dhe në një paketim të jashtëm, me përjashtim të mbështjellësve transparentë, të përdorura në shitjen me pakicë të produktit. Ndërsa shtypja e teksteve të paralajmërimeve të detyruara shëndetësore mbi pullat fiskale dhe pullat e çmimeve të paketave është e ndaluar.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›