Vazhdojnë problemet
Përfaqësuesja e Kosovës vazhdimisht po has në telashe mjaft të mëdha për të zhvilluar ndeshje miqësore, pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) akoma nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Pas Dinamos së Zagrebit, edhe Bursaspor në çastet e fundit ka vendosur të mos zbarkojë në Prishtinë për ta zhvilluar miqësoren e paralajmëruar për 27 mars ndaj reprezentacionit kosovar. Lajmi tashmë është konfirmuar edhe nga nënkryetari i kampionit aktual të Turqisë, Mustafa Yedikardes.
“Jo, nuk do të vijmë. Tani për tani nuk është e mundshme ta zhvillojmë këtë ndeshje”, tha shkurt për Express, Yedikardes të dielën. Por, ai nuk ka treguar se për çfarë arsye ai me bashkëpunëtorë kanë vendosur të mos e sjellin skuadrën e tyre në Prishtinë.
Mirëpo, mediat turke kanë raportuar se Federata e Futbollit e Turqisë nuk i ka dhënë pëlqimin Bursasporit për të zbarkuar në Kosovë, me arsyetimin se FFK-ja ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s. Këtë nuk e ka mohuar as Yedikardes.
Në anën tjetër, udhëheqësit e FFK-së akoma nuk janë njoftuar zyrtarisht nga turqit me këtë vendim të tyre për ta anuluar zbarkimin në vendin tonë. “Ndoshta për shkak të vikendit, ende nuk kemi marrë ndonjë njoftim zyrtar. Presim të hënën çfarë do të ndodhë”, tha për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu. Megjithatë, Salihu thotë se FFK-ja do të bëjë çmos që ndeshja e paralajmëruar ndaj Bursasporit të zhvillohet.
Në të kundërtën, ai thotë se nuk është fer që Bursaspor ta anulojë udhëtimin drejt Kosovës për ta zhvilluar një miqësore me përfaqësuesen tonë, vetëm pse FFK-ja nuk është ende e pranuar në FIFA e UEFA.
“Para ndeshjes që patëm luajtur me Xamaxin, FIFA ka tentuar të na pengojë zhvillimin e asaj ndeshjeje, por Xamax vendosi për të luajtur dhe e zhvilluam atë ndeshje”, kujton Salihu.
Ai ndihet i zhgënjyer me faktin që përfaqësuesja e Kosovës vazhdimisht, padrejtësisht, po pengohet të zhvillojë ndeshje miqësore.
“Nuk është e drejtë të pengohemi nga FIFA dhe qarqet e tjera për të luajtur miqësore. Pse pengohemi vetëm ne, kur Katalunia dhe shumë vende e ishuj të tjerë nuk pengohen. Madje ne jemi shtet i njohur ndërkombëtarisht. Kosova nuk do t’i falë kurrë ata që po na diskriminojnë dhe që po na sjellin zhgënjime të tilla”, shtoi ai.
“Një ditë ne do të pranohemi në FIFA e UEFA dhe s’ka dilemë këtu. Por, as atëherë nuk do ta harrojmë diskriminimin që na e kanë bërë të tjerët këtyre viteve”, vazhdoi Salihu.
Ai pohoi se FFK-ja do të vazhdojë të përpiqet për të zhvilluar ndeshje miqësore, pavarësisht se udhëheqësit e futbollit kosovar po pengohen në këtë drejtim prej qarqeve të ndryshme nga jashtë.
“Ne do të vazhdojmë të luajmë, siç i kemi zhvilluar disa ndeshje. Nuk mund të na pengojë askush. FIFA mund t’i pengojë vetëm anëtaret e veta, por jo edhe ne, derisa të pranohemi në këtë asociacion”, përfundoi ai.
Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtë që përfaqësueses së Kosovës i anulohen në çastet e fundit miqësoret e paralajmëruara. Edhe Dinamo e Zagrebit në muajin e kaluar fillimisht konfirmoi se do të zbarkojë në Prishtinë, por krejt në fund anuloi udhëtimin drejt vendit tonë.