Stefanoviq, mbret i snoubordit
Vëmendja e sportdashësve kosovarë në fundjavë nuk ishte e përqendruar te futbolli, basketbolli apo edhe hendbolli. Në vikend, të gjitha rrugët të çonin në qendrën rekreative në Brezovicë, ku u mbajt gara në snoubord kros ‘Snowboard Cross Brezovica 2011’.
Edhe pse filloi me më shumë se tri orë vonesë, kjo garë, e mbajtur për herë të parë në Kosovë, përfundoi me sukses. Në një konkurrencë mjaft të fortë, ku pati snouborderë nga Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Serbia e Kosova, më i suksesshmi doli slloveni Aljosa Stefanoviq.
Për këtë triumf, nga organizatori i garës, Shoqata e sportistëve ekstremë ‘Scardus’, ai u shpërblye me 3 mijë euro.
“Jam shumë i lumtur. Kam besuar në vetvete dhe ia dola ta fitoj këtë garë. Konkurrenca ishte e fortë, pasi përpos meje, kishte edhe garues të tjerë profesionistë të këtij sporti. Organizimi, shtegu, të gjitha ishin në vendin e duhur. Ishte hera e parë që vij në Kosovë, jam mjaft i kënaqur”, theksoi Stefanoviq.
Prapa tij u renditën serbi Milian Boskoviç, që përfitoi 1300 euro dhe kroati Nikola Vrhovec, që u shpërblye me 700 euro. Kurse, i katërti ishte maqedonasi Aleksander Kacarski.
Shtegu ishte i gjatë rreth 500 metra, ndërsa morën pjesë 16 garues, nga 22 sa ishin regjistruar. Ata garuan dy herë individualisht, në kualifikime, ndërsa më pas u mbajt çerekfinalja, gjysmëfinalja dhe finalja, ku sfidoheshin 4 snouborderë. Organizatorët e kësaj gare u ndanë të kënaqur me këtë eveniment, të parin në vend, të cilin planifikojnë ta bëjnë tradicional.
“Ne kishim ndërtuar një shteg tjetër, por shiu që ra në Brezovicë, na rrënoi të gjithë punën. Kështu që, për dy ditë kemi arritur ta ndërtojmë këtë shteg. Gara nisi me pak vonesë, por jemi të kënaqur me rrjedhën e saj, pasi i ka kapërcyer pritjet. Kishim prezent 8-9 garues profesionistë të rajonit”, theksoi njëri prej organizatorëve, Dren Maliqi.
Ai premton se në vitet e ardhshme do të ngritet cilësia e shtegut, por edhe niveli i garuesve do të jetë më i lartë. Garat me snoubord nuk janë shumë të popullarizuara në Kosovë.
Mirëpo, nga e diela, sportdashësit kosovarë kanë marrë informata më në detaje për këtë sport. Andaj, ata e presin garën ‘Snowboard Cross Brezovica 2012’, e cila pritet të mbahet vitin e ardhshëm.