Vazhdojnë protestat agresive në Greqi, Kryeministri Karamalis takim me Papandreon
Athinë- Përgjatë gjithë ditës së sotme kanë vazhduar protestat në Greqi. Ato nisën në Selanik dhe më pas u shtrinë edhe në kryeqytetin helen, Athinë dhe qytete të tjera. Media greke njofton se Kryeministri Kosta Karamanlis ka kërkuar një takim me takimin e liderit të opozitës në Greqi Jorgo Papandreos.
Grupe të rinjsh po plaçkisnin sonte në mbrëmje dhjetëra dyqane në qendër të Selanikut, qyteti i madh në veri të Greqisë dhe policia nuk po ndërhyn. Vjedhjet, sidomos në dyqanet e veshjeve dhe të bizhuterive, filluan pas përfundimit të dy manifestimeve të organizuara nga opozita e majtë kundër vrasjes ditën e shtunë nga policia të një adoleshenti dhe ku u morën pjesë më tepër se 5 000 persona.
Ndërkohë disa incidente shpërthyen në mbrëmje në Athinë, ku u përfshinë grupe të rinjsh të cilët thyenin vitrina dhe digjnin koshat e plehërave në kuadrin e një kortezhi protestuesish të majtë kundër vrasjes së një adoleshenti nga policia. Ndërkohë që rryma e madhe e manifestuesve po drejtohej nga parlamenti, në sheshin qendror "Sintagma", disa grupe të rinjsh shkëputeshin nga kortezhi për të thyer vitrina dhe për t'i djegur më tej ato dhe koshat e plehërave.
Policia reagoi duke hedhur herë pas here gaz lotsjellës, siç shihet nga imazhet e televizioneve. Qindra persona janë mbledhur gjithashtu në lagjen Exarchia, ku po përballen me një kordon të madh të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, njofton televizioni publik Net. Një zjarr ra në katin përdhes të një ndërtese në këtë zonë dhe u shua shpejt nga policia, shtoi.
Greqia përballet sot me protesta për të tretën ditë rresht pas vrasjes së një 15 vjeçari nga policia të shtunën. Ngjarja ka shkaktuar protesta në mbarë vendin dhe protestuesit kanë shkaktuar dëme të mëdha e janë përplasur me policinë.