Çmimi ndërkombëtar i naftës bie, tek ne ende shtrenjte
Tiranë-Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit në Tiranë kanë pësuar sot një ulje të lehtë prej 5 lekë për litër. Një rënie kjo e papërfillshme krahasuar me atë çfarë ndodh sot në tregun ndërkombëtar, andej nga edhe vjen nafta për në Shqipëri.
Krahasimet e mëposhtme tregojnë se si distributorët e karburanteve në vendin tonë përfitojnë në mënyrë abuzive duke shitur naftën me 130 lekë për litër, ndërsa në në botë nafta shitet me 40 dollarë për fuçi.
Pothuajse në shumicën e pikave të tregtimit të karburanteve në Tiranë çmimet sot ishin: 1 litër naftë-130 lekë, 1 litër benzinë-135 lekë, 1 litër Euro Diezel -135 lekë.
Ndërkohë çmimi i naftës ra në fund të javës në 40 dollarë për fuçi, nivel të cilin nuk e kishte prekur që nga 10 dhjetori i vitit 2004. Nafta bruto në SHBA ra me 2.85 dollarë për fuçi, duke u fiksuar në 40.81 dollarë/fuçi. Ndërsa brenti në Londër arriti në 39.74 dollarë për fuçi.
Rënia është shumë e theksuar, pasi vetëm në korrik të këtij viti një fuçi tregtohej me 147 dollarë. Ulja e çmimit të naftës ditën e premte në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një reagim të shpejtë në të gjithë botën.
Por ritmet e uljes në Shqipëri, që nga korriku janë shumë të ngadalta. Që nga muaji korrik çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është ulur me më shumë se 100 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi për litër i naftës në tregun e pakicës në vendin tonë është ulur me 4-5 lekë.
Në dhjetor të vitit 2004, kur në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës ishte 40 dollarë/fuçi, aq sa ka arritur këto ditë dhe kur kursi i këmbimit me dollarin varionte në 92-95 lekë, afërsisht sa sot, një litër naftë kushtonte rreth 90 lekë për litër.
Ndërsa çmimi për litër i naftës, në tregun shqiptar sot varion nga 120-130 lekë për litër, pra deri në 4 lekë për litër më shumë. Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për të verifikuar nëse në treg ekziston ndonjë kartel i mundshëm për fiksimin e çmimeve. Rritja e çmimeve të karburanteve ka bërë që vlera e importeve të këtyre të fundit, gjatë vitit 2008, të shënojë një rritje të konsiderueshme vjetore prej rreth 50%.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për karburante gjatë nëntë muajve të parë të vitit ishin rreth 210 milionë euro nga 140 milionë euro, që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e vlerës së importeve të karburanteve ka ardhur pothuajse plotësisht për shkak të rritjes së çmimit, pasi sasia e importeve të karburanteve është rritur me vetëm 2% ndaj vitit të kaluar.